Ndërlidhjet

Mungesë vullneti për përmirësim kritikash


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës ka dëshmuar një mungesë të vullnetit politik për përmirësimin e kritikave që dolën nga Raporti i Progresit i vitit të kaluar të Komisionit Evropian për vendin, thonë përfaqësues të Kuvendit të Kosovës dhe ekspertët për Integrime. Ata u shprehën pesimistë lidhur me punën, të cilën institucionet kosovare do të mund ta bëjnë brenda tre-katër muajve të ardhshëm - deri në publikimin e Raportit të radhës të Progresit.


Përfaqësues të legjislativit të Kosovës dhe njohësit e integrimeve evropiane në Prishtinë, thanë se Qeverisë së vendit i ka munguar vullneti politik për të përmirësuar kritikat që dolën nga Raporti i fundit i Progresit të Komisionit Evropian.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, e quajti të pamjaftueshëm koordinimin brenda-qeveritar.

“Është një mungesë totale që duhet të trajtohet nga ana e Qeverisë. Pavarësisht tendencave përmirësuese në koordinim që Ministria e Integrimeve po i bën kohëve të fundit, ai përbën vetëm një sektor që ka për detyrë koordinimin e agjendës evropiane në emër të Qeverisë, por ka shumë sektorë agjenci, organe dhe institucione në Kosovë që duhet ta realizojnë”, tha Haziri.

Komenti i tij vjen një ditë pasi zyrtarët evropianë theksuan rëndësinë që Kosova të përshpejtojë punën rreth agjendës evropiane duke miratuar dhe zbatuar një varg ligjesh të nevojshme për integrim në Bashkimin Evropian.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, drejtori për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Evropian, Peire Mirel, përmendi Ligjin për prokurim publik, atë për financimin e Radio Televizionit Publik, Ligjin mbi shoqërinë civile dhe të tjera.

Haziri tha se në agjendën legjislative për këtë vit parashikohej miratimi i 35 ligjeve, por, sipas tij, deri më tani vetëm pak nga to i janë dërguar Kuvendit nga ekzekutivi kosovar.

Lutfi Haziri
“Deri më tani, kanë ardhur shtatë në procedurë të miratimit, që përfshin edhe Ligjin për buxhet. Gjashtë janë miratuar në tërësi, ndërsa gjashtë ligje të tjera janë në procedurë për këtë muaj. Po ashtu, Komisioni për Integrime Evropiane ka filluar dhe monitorimin e zbatimit të ligjeve dhe ka hasur e është në akordancë të plotë me Komisionin Evropian që një numër i madh i ligjeve nuk janë duke u implementuar, e që është shumë shqetësuese”, theksoi Haziri.

Pengesë në avancimin e agjendës legjislative, sipas zyrtarëve qeveritarë, kanë qenë zgjedhjet e parakohshme të vitit të kaluar dhe konstituimi i institucioneve, të cilat, siç thuhet, i kanë marrë Kosovës kohë të vlefshme.

Mirëpo, profesori në Universitetin e Prishtinës, Avni Mazreku, tha se ngecjet e autoriteteve kosovare në përmirësimin e kritikave të Raportit të fundit të Progresit, nuk mund të arsyetohen me zhvillimet e brendshme politike të vitit të kaluar.

“Çështja e vonesës në konsolidimin e institucioneve të vendit normalisht ka qenë rrjedhë e një defekti tjetër që Kosova ka, e që është stabiliteti politik, përkatësisht zgjedhjet e lira - si kriter i parë i Kopenhagës ose kriter politik. Natyrisht, ky është një problem që do të evidentohet dhe do të thuhet të Raportin e Progresit për Kosovën”, u shpreh Mazreku, duke shprehur bindjen se në këtë raport Kosova do të marrë nota më negative sesa në vitin e kaluar kur bëhet fjalë për kriteret politike, reformimin e administratës publike dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Mazreku tha se mund të pritet progres i shënuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese për legjislacion, por theksoi se do të ketë kritika lidhur me zbatimin e këtij legjislacioni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG