Ndërlidhjet

Konfiskoni, sepse keni të drejtë!


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Dobësia e sistemit të drejtësisë mund të jetë një nga arsyet e mospërdorimit të së drejtës për konfiskim të pasurisë nga prokurorët dhe gjykatësit që veprojnë në Kosovë, vlerësojnë përfaqësues të EULEX-it. Ata theksojnë rëndësinë e shfrytëzimit të kësaj të drejte, ndërsa shprehin bindjen se duke konfiskuar pasurinë mund të hidhet dritë në çështjet që ndërlidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet ekonomike.


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë dëshiron që prokurorët dhe gjyqtarët e tij, sikurse ata vendorë, të nisin sa më parë shfrytëzimin e së drejtës për konfiskimin e pasurisë në rastet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimit ekonomik.

Në kohën kur në Kosovë po hetohen dhjetëra raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë dhe qindra të tjera në nivele më të ulëta institucionale, del se e drejta për të konfiskuar pasurinë e dyshuar nuk është përdorur pothuaj fare në Kosovë në vitet e fundit. Arsyet përse ka ndodhur kjo, mbesin të paqarta.

Ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë, sipas këshilltarit për çështje anti-korrupsion në EULEX, Xhorxh Mells, nuk mund të jenë e vetmja arsye.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Mells tha se duhet të shikohen rrethanat ekzistuese për të kuptuar hezitimin e gjyqtarëve e prokurorëve vendorë e ndërkombëtarë në konfiskimin e pasurisë.

“Mendoj se ka më shumë gjasa që ata të kenë qenë të përqendruar në dhënien e dënimeve. Mospërdorimi aq i madh i këtyre fuqive lë të kuptojë se ka më shumë arsye sesa ndërhyrjet politike”, theksoi ai.

Të martën, EULEX-i planifikon t’i ulë në një tryezë mbi 30 gjyqtarë e prokurorë vendorë dhe ndërkombëtarë, për t’ua rikujtuar atyre të drejtën e konfiskimit të pasurisë, e cila në Kosovë, ndonëse në mungesë të ligjit, mundësohet nga Kodi i Procedurës Penale.

Mells tha se deri në fund të këtij viti mund të priten rezultatet e para në këtë drejtim.

“Shpresojmë ta kemi gati legjislacionin e zgjeruar për konfiskim deri në fund të këtij viti dhe shpresoj që shumë shpejt pas kësaj do të përdoren ato fuqi. Shpresojmë që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë, qoftë nga EULEX-i apo të tjerë, t’i përdorin këto fuqi”, tha Mells.

Kërkesa për të bërë këtë thuhet se u është drejtuar vendeve të rajonit në prill të këtij viti nga Bashkimi Evropian, në një konferencë rajonale për zhvillimin e bashkëpunimit ligjor në çështjet e krimit të organizuar dhe krimit ekonomik, në Bërdo të Sllovenisë.

Mells tha se edhe Qeveria e Kosovës është palë nënshkruese e një dokumenti të hartuar në përmbyllje të konferencës, ndërsa nuk dha ndonjë vlerësim për gatishmërinë politike për t’i zbatuar zotimet e dokumentit në fjalë.

Analisti evropian për krime ekonomike tha se duhet nisur nga niveli i ulët për të pasur rezultatet e para të prekshme, lidhur me konfiskimin e pasurisë.

Mirëpo, sipas përfaqësuesit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Jetullah Aliut, konfiskimi i pasurisë duhet të shqyrtohet edhe te niveli i lartë zyrtar.

Lista e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve që mbajnë poste publike, sipas tij, mund të shërbejë si udhërrëfyes për veprime konkrete.

“Pasuria, e cila është krijuar për një kohë shumë të shkurtër dhe s’korrespondon me të ardhurat, mund të vijë në shprehje që të ndërlidhet me një vepër penale dhe mund të fillojnë hetimet penale nga ana e prokurorit publik”, sqaroi Aliu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG