Ndërlidhjet

Të varfër dhe në geto


Prishtinë
Prishtinë
Një pjesë shumë e madhe e të rinjve kosovarë jeton në varfri, thuhet në raportin e fundit të publikuar nga Banka Botërore. Arsye e gjithë kësaj, sipas përfaqësuesve të të rinjve, sociologëve dhe njohësve të ekonomisë, është shkalla e lartë e papunësisë te kjo kategori e shoqërisë.


Rreth 40 për qind e popullsisë së Kosovës është nën moshën 20-vjeçare, ndërsa rreth 60 për qind e të varfërve janë më të rinj se 30 vjeç. Këto janë gjetjet e raportit të fundit, të publikuar nga Banka Botërore dhe Enti i Statistikave të Kosovës.

Sipas këtij raporti, rreth 34 për qind e popullsisë në Kosovë, në vitin 2009, kanë jetuar në varfëri absolute, kurse 12 për qind në varfëri të skajshme.

Njohësit e çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesit e organizatave rinore thonë se shkalla e lartë e papunësisë te të rinjtë është arsyeja kryesore që e bën këtë kategori të jetojë në varfëri.

Lindita Loshi, udhëheqëse e Qendrës Rinore në Prishtinë, thotë se ekzekutivi i vendit nuk i ka kushtuar shumë vëmendje kësaj çështjeje. Nepotizmi dhe përvoja paraprake në punë, sipas saj, paraqesin problemin kryesor për aplikuesit e rinj.

“Qeveria nuk po investon në sektorin e rinisë dhe të punësimit të tyre. Shpresoj se tash e tutje do të bëjë diçka konkretisht, që të mundësojë praktika dhe t’i lërë anash ato gjëra që u kanosen të rinjve”, thotë Loshi.

Politikat e edukimit dhe punësimit nuk janë në favor të të rinjve kosovarë, thotë edhe Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP.
Politikat e punësimit, sidomos në institucionet publike, janë në disavantzh për të rinjtë, për shkak se kërkohet përvojë pune.

“Dihet se sistemi arsimor nuk i favorizon të rinjtë që të fitojnë praktika të punës, nëse ata kryejnë fakultete apo marrin një diplomë universitare. Në anën tjetër, edhe politikat e punësimit, sidomos në institucionet publike, janë në disavantzh për të rinjtë, për shkak se kërkohet përvojë pune”, thotë Demi për Radion Evropa e Lirë.

Në raportin e Bankës Botërore nuk përmenden këto probleme, por, megjithatë, thuhet se ekziston një lidhje e fuqishme në mes të arsimimit dhe varfërisë.
Sipas raportit, të rinjtë që kanë përfunduar shkollimin e mesëm dhe të lartë, ka shumë më pak mundësi të jenë të varfër, sesa ata që nuk e kanë ndjekur këtë shkollim.

Po sipas të njëjtit raport, shkalla e varfërisë për kokë banori në vitin 2009 ishte 38 për qind në mesin e atyre që kishin mbaruar vetëm shkollën fillore, krahasuar me 28 për qind tek ata që kishin mbaruar shkollimin e mesëm dhe 11 për qind tek ata me arsim të lartë.

Sociologët shprehin shqetësime të tjera lidhur me shkallën e lartë të varfërisë dhe të papunësisë te të rinjtë. Fadil Maloku thotë se autoritetet përgjegjëse duhet të krijojnë parakushte për zbutjen e kësaj gjendjeje, meqë, shton ai, situata e rëndë socio-ekonomike ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kriminalitetit në shoqëri.

Si problem tjetër në këtë fushë, sociologu Maloku përmend mospërfshirjen e Kosovës në liberalizmin e vizave. Kjo ngecje, thotë ai, i bën kosovarët, sidomos të rinjtë, të ndjehen të braktisur.

“Nëse vazhdohet me këto politika të mbylljes hermetike të të rinjve, unë mendoj se do të ketë probleme sociale dhe dhunë. Të rinjtë kosovarë janë duke jetuar në një geto. Jemi duke prodhuar sistematikisht njerëz të rinj dhe të frustruar. Mendoj se ky do të jetë një problem shumë serioz në të ardhmen“, thekson Maloku.

Sipas tij, krijimi i vendeve të reja të punës dhe ulja e shkallës së varfërisë vazhdojnë të mbeten sfida për ekzekutivin e vendit.
XS
SM
MD
LG