Ndërlidhjet

Bob Dilan: Ndikim dhe inspirim muzikor në botë


Bob Dilan, 1978
Bob Dilan, 1978
Në këngët dhe tekstet e Bob Dilanit mund të dëgjohen fjalë në shumë gjuhë të botës.

Ikona amerikane e këngës lindi më 24 maj të vitit 1941, në qytetin Duluth të Minesotës.

Paraardhësit e tij nga ana e babait ishin larguar nga krimet kundër hebrenjve në Odesë, në vitin 1905, ndërsa ata nga vija e nënës kishin arritur në Shtetet e Bashkuara nga Lituania.

Gjatë pesë dekadave të fundit, Bob Dilan ka prodhuar afro 1 mijë këngë.

Karriera e tij ishte përplot me kthesa të mëdha: në vitet ’60, ai këndoi këngë proteste, pastaj kaloi në lirikë të rokut, interpretoi këngë të ndjenjave personale, e deri te meloditë që ishin të bazuara në traditat amerikane dhe muzikën bluz.

Ndikimi i tij në muzikë ishte me të vërtetë global. Thuhet se mbi 32 mijë versione të këngëve të tij janë përkthyer dhe kënduar në shumë gjuhë.

Muzika e tij kishte ndikim edhe në muzikën e grupit të dikurshëm “Gjurmët”, nga Prishtina, thotë ish-anëtari i tij, Migjen Kelmendi.

“Për dallim nga shumë autorë të tjerë, që ishin të ndikuar nga Bob Dilan, ne e patëm përqafuar qëndrimin ndaj rokenrollit, sipas të cilit, roku nuk ishte muzikë vetëm për vallëzim, por muzikë ku ti mund të thuash diçka. Rokenrolli në Kosovë, në njëfarë mënyre, ka një baba, e ai është Bob Dilan”, thotë Kelmendi.

Kompozitori Gani Jakupi thotë se Bob Dilan vazhdon ta ruajë famën si një nga poetët më të mirë të rokut.

Trashëgimia e Bob Dilanit e kapërcen gati edhe kornizën e rokut. Ai ka qenë iniciues i asaj që është quajtur ‘roku i protestës’. Ka qenë dhe ka mbetur poeti më i madh i rokut, sado që ka pasur njerëz edhe më vonë, si: Tom Uejts ose Leonard Kohen. Por, para të gjithëve, Bob Dilani është i pari që ka shkruar tekste. Ato i ka shkruar si 20-vjeçar”, thotë Jakupi.




Njëri nga ish-rokerët kosovarë dhe themeluesi i grupit “Mak”, Xhevdet Gashi, vlerëson se ndikimi i Dilanit në rokun botëror ka qenë në dy drejtime - në aspektin muzikor dhe atë të përmbajtjes së teksteve.

“Tekstet e tij kanë qenë çdo herë të angazhuara, edhe pse në mënyra të ndryshme, në periudha të ndryshme. Në periudhën e fillimit ka qenë më tepër aspekti social, aspekti paqësor. Sa i përket ndikimit në Kosovë, edhe pse Bob Dilan është tejet i popullarizuar, pak njerëz kanë mundur ta dëgjojnë tërë opusin e tij, sepse opusi i tij është shumë i madh”, thekson Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, muzikanti nga Serbia, Robert Nemeçek, anëtar i grupit “Rok Mashina”, thotë se koncerti i fundit i Bob Dilant në Beograd, vitin e kaluar, ishte ngjarje kryesore që tregonte se sa kishte ndryshuar Serbia prej vitit 1991.

“Më vjen keq të them se kur Dilani erdhi në Serbi në vitin 1991, pak para luftës dhe të gjitha budallallëqeve që ndodhën, populli në koncert nuk e kishte kuptuar se çka aktualisht po u sillte atyre Dilani. Koncerti në Beograd me gjasë ishte më i miri në atë turne, por koncerti i fundit i Dilanit në Beograd ishte fantastik”, thotë Nemeçek.

Producenti nga Gjeorgjia, Giorgi Asanishvili, thotë se gjenialiteti i Dilanit ishte i rëndësishëm në secilën periudhë.

“Bob Dilan është njëri nga ato gjeni që janë të rëndësishme në çdo kohë dhe në çdo vend. Ai është ende shumë i rëndësishëm në ditët aktuale në Gjeorgji, për shkak të shumë padrejtësive që po ndodhin”, thotë ai.

Edhe pse 70-vjeçar, Bob Dilan është ende shumë aktiv. Ai vazhdon të mbajë deri në 150 koncerte në vit dhe të prodhojë albume me muzikë origjinale.

Këngët e tij janë kënduar edhe nga interpretues të tjerë. Njëra nga ta është këngëtarja britanike, Adele, e cila në vitin 2008 këndoi këngën e Dilanit nga 1997-a “Make You Feel My Love”. (f.b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG