Ndërlidhjet

KQZ shpall fitues Bashën


Lulzim Basha
Lulzim Basha
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi tabelën përfundimtare të rezultateve për Tiranën.

Ajo shpall kandidatin e Aleancës për Qytetarin, Lulzim Basha, fitues të garës për kryeqytetin, me 81 vota më shumë se kandidati i Aleancës për të Ardhmen, Edi Rama.

Kështu, nga 250.880 vota të vlefshme, për zotin Basha ishin 124.786 e tyre, ndërsa për zotin Rama 124.705 vota.

Miratimi i tabelës së rezultateve për Tiranën u shoqërua me debate të shumta në mbledhjen e KQZ-së që prej orës 17:00 deri në orën 23:00, kur edhe u përmbyll ky proces.

Debatet u fokusuan te votat e kontestuara, pikërisht ato të gjetura në kutitë e gabuara. Numri i tyre përmbysi avantazhin prej 10 votash që kishte fillimisht kandidati i opozitës, Edi Rama.

Sipas përfaqësuesve të Partisë Socialiste, KQZ-ja ndryshoi në mënyrë jo të ligjshme rezultatin, duke përfshirë në numërim vota të pavlefshme, siç i konsideron kjo forcë politike, votat e hedhura në kutitë e gabuara.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e mazhorancës thanë se as ligji dhe as ndonjë vendim i 11 KZAZ-ve të Tiranës nuk i cilëson këto vota të pavlefshme, andaj e cilësuan tërësisht në përputhje me Kodin Zgjedhor vendimmarrjen për numërimin dhe përfshirjen e tyre në tabelën përfundimtare të rezultateve për Bashkinë e Tiranës.

Por, duket se beteja për kryeqytetin nuk mbyllet me këtë vendimmarrje të KQZ-së. Ҫështja i ka kaluar për shqyrtim Kolegjit Zgjedhor, pas ankimimit pranë këtij institucioni të Partisë Socialiste.

Do të jetë Kolegji Zgjedhor ai, i cili në mënyrë përfundimtare do të vendosë nëse do të rrëzojë apo lërë në fuqi këtë vendimmarrje të KQZ-së, që shpall si kryetar të ri për bashkinë më të rëndësishme në Shqipëri, Lulzim Bashën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG