Ndërlidhjet

KQZ-ja numëron, palët akuzojnë


Tiranë, 8 maj 2011.
Tiranë, 8 maj 2011.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon numërimin e votave të kontestuara, nga numërimi i të cilave kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, rezulton të ketë më shumë vota në favor. Kështu, nga numërimi i 75 kutive, 125 vota rezultuan për zotin Basha dhe 53 për zotin Rama.

Ndërkaq, gjatë pasdites në qytete të ndryshme të vendit mbështetës të opozitës bllokuan rrugët kombëtare.

Protestuesit përdorën goma makinash, të cilave ua vunë zjarrin në rrugë. Deri tani nuk njoftohet asnjë incident gjatë zhvillimit të këtyre protestave.

Në një reagim të tij publik gjatë së premtes, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se opozita nuk do të njohë as Qeverinë, as Parlamentin, por vetëm Kushtetutën, nëse kryeministri nuk ndal atë që e cilesoi si marrje peng e procesit zgjedhor të 8 majit për Tiranën.

Edhe të premten kryetari i PS-së u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të ndërhyjnë për të ndaluar atë që Rama e cilësoi masakër zgjedhore të KQZ-së.

Nga selia e Partisë Demokratike, deputeti Gerti Bogdani tha se Rama ka frikë nga numërimi i votave, ndaj dhe po kërkon të ndalë këtë proces.

Bogdani tha se procesi i numërimit të votave po zhvillohet në transparencë të plotë dhe se KQZ-ja do të vazhdojë të përmbushë detyrimin e tij që rrjedh nga ligji.

Lidhur me zhvillimet në Shqipëri reagoi edhe KE-ja nëpërmjet zëdhënëses Natasha Batler.

Ajo tha se nuk mund të ketë dy rezultate për zgjedhjet dhe se rezultati duhet të shpallet pa vonesë. KE-ja e konsideron kyç rolin e KQZ-së ndaj dhe i kërkoi që të veprojë si një institucion i pavarur dhe pa ndërhyrje politike.

Këto ditë dhe puna e diplomatëve të huaj ka qenë intensive në takime me zyrtarë të lartë të vendit në një përpjekje për ta qetësuar situatën.

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Uolfarth, theksoi rëndësinë e respektimit të institucioneve të pavarura, duke iu referuar KQZ-së, si dhe bëri thirrje të respektohet ligji dhe puna e policisë së shtetit.

Po ashtu, edhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje udhëheqësve dhe të gjithë anëtarëve të partive politike në Shqipëri të respektojnë procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë.

"Dhuna dhe retorika që kërcënon për dhunë ose nënkupton akte dhune, nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë", thuhet në deklaratën e ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, Filip Gordon.

Ky i fundit theksoi rëndësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta kryejë funksionin e tij në mënyrë konsistente dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, "për të krijuar besim te popullata dhe për të garantuar integritetin e mandatit të këtij institucioni”.

Nga ana tjetër, edhe presidenti Bamir Topi pas një takimi me ambasadoren britanike në Tiranë, duke iu referuar situatës paszgjedhore, tha se është e rëndësishme të ruhet rendi publik, si dhe të gjendet ekuilibri që vendi, siç theksoi ai, të mos rrëshqasë në tensione të panevojshme politike.

Kjo, sipas presidentit Topi, garantohet nëpërmjet zbatimit të ligjit dhe respektimit të pavarësisë së institucioneve kushtetuese, nga kushdo.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG