Ndërlidhjet

BE-ja kundër Rusisë, Kinës e Serbisë


Këshilli i Sigurimit
Këshilli i Sigurimit
Nuk do të ketë paqe të qëndrueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve nëse nuk mbahet një hetim lidhur me akuzat për trafikim të organeve të të burgosurve serbë në Kosovë, tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

Vendet e Bashkimit Evropian janë të përfshira në një betejë të re me Rusinë, Kinën dhe Serbinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, lidhur me çështjen se a duhet këto akuza të hetohen nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, apo nga ndonjë organ tjetër nën mandatin e OKB-së.

Vuk Jeremiq
Duke bërë një kërkesë të re për hetime nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq tha se Serbia “nuk do të ndalet ose tërhiqet”.

“Në emër të vendit tim, unë bëj thirrje te Këshilli i Sigurimit që ta mbështesë kërkesën tonë për hetime gjithëpërfshirëse të akuzave për trafikim të organeve të civilëve të pafajshëm serbë. Ne nuk do të ndalemi ose të tërhiqemi derisa të zbulohet e vërteta e plotë se çka ka ndodhur”, tha Jeremiq.

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, i tha Këshillit të Sigurimit se “derisa këto akuza janë në pritje, do të jetë edhe më vështirë të fillojë pajtimi”.

Ai theksoi se “hetimet e drejta dhe të pavarura” janë çështje esenciale, ndërsa e mbështeti hetimin e lansuar nga misioni i BE-së në Kosovë, EULEX.

Në takimin e mbrëmshëm të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Britania, Franca dhe Gjermania kanë argumentuar se misioni evropian ka kapacitet dhe juridiksion që të merret me këtë çështje.

Në këtë kuadër, i dërguari i Britanisë, Filip Parham, tha:
EULEX-i ka aftësi për të zhvilluar hetime të plota, përfshirë edhe aftësinë për mbrojtjen e dëshmitarëve.


“EULEX-i ka aftësi për të zhvilluar hetime të plota, përfshirë edhe aftësinë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Njësia e dëshmitarëve e misionit i plotëson standardet e BE-së dhe mund të plotësohet - nëse është e domosdoshme për t’i plotësuar kërkesat e këtij hetimi”.

Në mbështetje të hetimit nga ana e EULEX-it u shpreh edhe i dërguari i Gjermanisë, Peter Vitih.

“Në pikëpamjen tonë, nuk ka dyshim se misioni i sundimit të ligjit i BE-së, EULEX, ka aftësi, kompetencë dhe juridiksion që t’i zhvillojë këto hetime”, tha ai.

Por, Rusia iu bashkua aleatit të saj të afërt, Serbisë, duke kërkuar mandat të Këshillit të Sigurimit për hetime. Ambasadori rus, Vitalij Çurkin, theksoi:

“Ne e mbështesim propozimin që e përmban raporti i Dik Martit, për krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar hetues, që i përgjigjet OKB-së, me vendim të Këshillit të Sigurimit. Duhet të jepen burime adekuate për sigurimin e funksionimit të programit të besueshëm për mbrojtjen e dëshmitarëve. Duhet të punojmë për së afërti me shtetet e interesuara dhe me UNMIK-un e EULEX-in”.

Kërkesën e Rusisë e ka mbështetur edhe Kina.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, bëri thirrje për paraqitje të dëshmive lidhur me akuzat e Dik Martit.

“Qeveria e Kosovës e njeh EULEX-in si një arbitër të pavarur të drejtësisë, që mund ta përcaktojë legjitimitetin e akuzave të Dik Martit. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve t’i paraqesin informacionet dhe dëshmitë që mund t’i kenë te prokurorët e EULEX-it, lidhur me raportin e Dik Martit”, tha ministri Hoxhaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG