Ndërlidhjet

Rreziku nga deficiti buxhetor


Miratimi i projektbuxhetit për vitin 2011 nga Qeveria e Kosovës, pa marrëveshjen paraprake me Fondin Monetar Ndërkombëtar në aspektin e shpenzimeve, do të prodhojë një varg pasojash për Kosovën, vlerësojnë ekspertët e çështjeve të ekonomisë.

Sipas tyre, tashmë është krijuar situata, në të cilën Kosova dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, siç thonë ata, kanë ndarë rrugët apo drejtimet e veta.

Muhamet Sadiku, ekspert për ekonomi në institutin Riinvest, thotë se Kosova tashmë po rrezikon të humbë ndihmën buxhetore prej 80 milion euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si dhe po e vë në pikëpyetje gatishmërinë e Bankës Botërore për dhënien e kredive të buta.

“Tani jemi në situatë ku Kosova shkon në një drejtim, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar shkon në një drejtim tjetër. Nëse Kosova vazhdon në rrugë tjetër, do të përballet me pasoja. Kosova rrezikon që t’i humbë donacionet, të humbë mbështetjen e Bashkimit Evropian".

"Rrezikon të humbë donacione mbi bazën bilaterale dhe krejt kjo do të reflektohet edhe para komunitetit të investitorëve. Sepse, investitorët strategjik nuk janë të gatshëm që të investojnë në vendet të cilat dalin jashtë marrëveshjes dhe programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar”,
thotë Sadiku.

Sadiku ka shtuar se Qeveria e Kosovës do ta ketë të vështirë të sigurojë të hyra buxhetore që mbulojnë shpenzimet buxhetore, e të cilat duhet të jenë 20 për qind më shumë se sa një vit më parë.

Sipas tij, ajo nuk ka arritur që me argumente ta bindë Fondin Monetar Ndërkombëtar , se disponon me kapacitete për ta ngritur të hyrat në këtë përqindje.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe Lekë Musa, ekspert për ekonomi në Odën Amerikane në Kosovë. Ai vlerëson se humbja e donacioneve nuk është rreziku i vetëm që kanoset...

“Ajo që është më brengosëse, është çështja e rrezikimit të një disipline fiskale dhe në periudhë afatgjate mund të rrezikohet edhe zhvillimi ekonomik. Sepse, në një vend ku ke rritje të shpenzimeve, ndërsa në anën tjetër nuk ke mundësi t’i mbulosh këto shpenzime, atëherë qeveritë, domosdo, do të fillojnë që ta ngarkojnë sektorin privat përtej normave proporcionale".

"Në këtë mënyrë Kosova vihet në një pozitë të palakmueshme në krahasim me vendet tjera të rajonit, të cilat kanë ngarkesë më të ulët fiskale”,
thotë Musa.

Musa ka thënë se përllogaritjet e Qeverisë së Kosovës për të siguruar mjetet buxhetore me shitjen e Post Telekomit të Kosovës ka mundësi të mos rezultojnë pozitivisht dhe në fund të këtij viti Kosova mund të ballafaqohet me mungesë të mjeteve për ti mbuluar shpenzimet e parapara.

Në anën tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar, përveç tjerash ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që për rezerva buxhetore t’i ndajë mbi 280 milion euro. Ndryshe, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se Kosova do të ballafaqohet me deficit buxhetor.

“Kosova, pas çdo viti buxhetor ka mjete të pashpenzuara rreth 400 milion. Mirëpo, këto mjete të pa shpenzuara nuk janë garanci se Kosova do ta shmangë deficitin buxhetor, sepse në rastin më të mirë deri më tash, ka mundur të ketë të hyra buxhetore rreth 1 miliardë euro".

"Iniciativat shpenzuese të qeverisë e kalojnë dukshëm këtë nivel të të ardhurave. Qeveria nuk mund të llogaritë në rezervën buxhetore. Ajo mbetet e paprekshme dhe nuk mund ta përdorë kur ajo të dëshirojë”,
thotë Sadiku.

Mendim të ngjashëm ka edhe Musa...

“Absolutisht, çështja e rezervave, të cilat kërkohen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, është pikërisht për arsyen se shihet që Qeveria e Kosovës, mund të themi shumë haptas, nuk është serioze në lidhje me disiplinën fiskale".

"Për këtë vit, pritjet janë se, për shkak të rritjes së pagave dhe për shkak të projekteve kapitale, Kosova mund të ketë një deficit rreth 400 milion euro. Ky deficit, në rast se nuk kemi shitje të Postës dhe Telekomit të Kosovës, vështirë se do të mbulohet”,
përfundoi Musa.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG