Ndërlidhjet

Nisin bisedimet Kosovë - Serbi


Borisllav Stefanoviq dhe Edita Tahiri
Borisllav Stefanoviq dhe Edita Tahiri
Ndonëse me vonesë krahasuar me planin fillestar që të niste pasdite, të martën në mbrëmje në selinë e BE-së në Bruksel ka filluar dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën kryesimin e Robert Kuperit, zyrtar i lartë i Këshillit të Bashkimit Evropian.

Ky takim pritet të vazhdohet edhe ditën e mërkurë, ndërsa BE-ja ka thënë se pas takimit do të dalë me një deklaratë rreth tij.

Të martën, edhe para se të niste ky takim, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Eshton, e përshëndeti nisjen e këtij dialogu, duke thënë se tani është momenti i duhur për të nisur ky dialog.

Eshton tha se dialogu do të sillet rreth tri çështjeve kyçe, siç janë: lëvizja e lirë, bashkëpunimi rajonal dhe sundimi i ligjit.

Ideja dhe qëllimi i dialogut është afrimi i Prishtinës dhe Beogradit me Bashkimin Evropian dhe zhvillimi i një bashkëpunimi rajonal.

Eshton, po ashtu, tha se edhe Kosova edhe Serbia duhet të punojnë në çështjet praktike, të cilat do t’i zgjidhin problemet e jetës së përditshme të njerëzve.

Ndërkohë, para hyrjes në ndërtesën ku zhvillohet dialogu, Edita Tahiri, kryesuese e delegacionit të Kosovës, tha se janë të lumtur që po nisë ky dialog.

Republika e Kosovës do t’i qaset këtij dialogu në mënyrë konstruktive, tha zonja Tahiri. Ajo theksoi se beson se procesi i dialogut do ta përforcojë agjendën evropiane, si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë.

Ndërkaq, përfaqësuesi i delegacionit të Serbisë, Borisllav Stefanoviq, ishte pak më i gjerë në diskutimet me gazetarë rreth temave që diskutohen në këtë dialog. Sipas tij, në tryezë janë qarkullimi ajror, problemi i doganave dhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me kadastrat.

Sido që të jetë, në BE përsërisin se presin që të dyja palët do të jenë konstruktive në këtë dialog dhe se zgjidhja e problemeve në mënyrë graduale do ta avancojë edhe dialogun.

Mirëpo, në BE nuk dëshirojnë në këto momente të thonë se sa do të zgjasë ky dialog, por thonë se në një periudhë njëvjeçare presin zgjidhjen e shumë problemeve që do të parashtrohen në këtë dialog.

Sipas BE-së, pritet që në përgjithësi në dialog të shtrohen diku mes 15-20 temave që duhet të zgjidhen. Natyrisht, BE-ja insiston se ajo në këtë dialog është lehtësuese, mirëpo mban qëndrimin e saj neutral ndaj statusit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG