Ndërlidhjet

Stendat e pashfrytëzuara


Qendra Klinike Universitare
Qendra Klinike Universitare
Në Qendrën Klinike Universitare, jo rrallëherë, bëhen kërkesa për furnizim me barna të panevojshëm nga profesionistët shëndetësorë, të cilëve më pas u skadon afati i përdorimit, thonë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Një kërkesë e tillë është bërë nga klinika kardiologjike invazive për stenda, në mënyrë që të kryhen operacionet e zemrës.

Ilir Tolaj, sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se bëhet fjalë për një furnizim prej 800 mijë eurosh.

Zoti Tolaj shpreh shqetësimin e tij lidhur me paraqitjen e këtyre problemeve.

“Një nga problemet më të mëdha në furnizim me barna dhe material shpenzues, të cilin e hasim, është edhe planifikimi joadekuat. Ne kemi shembuj të panumërt kur nga institucionet gjegjëse bëhen porosi të caktuara dhe pastaj nuk shfrytëzohen fare, derisa Ministria e Shëndetësisë, por edhe institucionet tjera shëndetësore humbin”.

“Kardiologjia invazive është një shembull i tillë, ku ne si ministri e kemi furnizuar këtë njësi me një material shpenzues në vlerë prej 800 mijë eurosh, ndërsa shfrytëzimi ka qenë shumë minor; 600 mijë euro material kanë mbetur të pashfrytëzuar dhe i ka dalë afati”,
deklaron Tolaj.

Ai thotë se i ka dërguar letër zyrtare drejtorit të atëhershëm, Ali Sadriut, duke kërkuar shpjegim se pse janë bërë kërkesa të tilla dhe pse më pas nuk janë shfrytëzuar.

Në anën tjetër, Ali Sadriu, ish-drejtor i përgjithshëm në QKUK, thotë se me të ardhur në këtë pozitë, këtë material e ka gjetur në klinikën kardiologjike.

“Unë mund t’ju deklaroj se nuk ka asnjë kërkesë që unë kam bërë me furnizim me stenda. Kur kam startuar mardhënien e punës, atje kam gjetur stenda. Disa prej tyre thoshin se i kanë dërguar në Shqipëri, derisa disa të tjerave u ka dalë afati”, shprehet Sadriu.

Ndërkaq, zoti Tolaj pohon se udhëheqësi i QKUK-së, në këtë rast zoti Sadriu, duhet të jetë i njoftuar për të gjitha furnizimet që bëhen në këtë institucion.

Nga aspekti i analizës sime, mund të them se shpeshherë ndikimi i kompanive farmaceutike si dhe i furnizuesve të caktuar në profesionistët tanë, është më i madh seç duhet të jetë, duke i detyruar ata të bëjnë porosi që nuk janë nevoja reale dhe nuk janë kualiteti real që u duhet institucioneve shëndetësore”, thotë Tolaj.

Zoti Sadriu fajin e hedh te kardiologët, të cilët, sipas tij, asnjëherë nuk kanë qenë të interesuar t’i kryejnë operacionet e zemrës në këtë klinikë. Të njëjtit kardiologë, këto shërbime, madje me kushte më të këqija, sipas Sadriut, i kanë realizuar në spitalet private.

Ai thotë se ka qenë i interesuar që operacionet e zemrës të kryhen në QKUK dhe për këtë çështje ka mbajtur takime me profesionistë shëndetësorë, por nuk ka pasur sukses që ky proces të jetësohet.

“Aty janë ngritur shumë probleme, derisa unë të gjitha këto i kam raportuar me shkresa zyrtare në detaje. Ka qenë një takim me të gjithë kardiologët, për të analizuar proceset dhe mundësitë e vazhdimit të punës lidhur me këtë sëmundje... Nga 24 kardiologë, 22 kanë qenë kundër, derisa pothuajse të gjithë e bëjnë të njëjtin operacion në klinika private”, thotë Sadriu.

Në klinikën e kardiologjisë invazive, përkundër porosive me qindra-mijëra euro, deri tani janë kryer vetëm tre operacione të zemrës, derisa pacientëve u mbetet të operohen në klinikat private apo edhe jashtë shtetit.
XS
SM
MD
LG