Ndërlidhjet

Falimentojnë bizneset


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në Kosovë, vetëm gjatë vitit 2010, janë shuar afër 1400 biznese, thonë zyrtarë të qeverisë në dorëheqje. Sipas tyre, kamatat e larta për kredi, mbeten shkak kryesor i falimentimit të bizneseve. Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, nuk pajtohen me arsyen e shuarjes së kompanive.


Afër 1400 biznese kanë falimentuar vetëm gjatë vitit që lamë pas, bëjnë të ditur zyrtarë të qeverisë në dorëheqje. Arsyet, sipas tyre, janë të ndryshme, por në shumë raste, falimentimi ka ndodhur si pasojë e pamundësisë së kthimit të kredisë, për shkak të kamatave të larta të interesit.

Naser Graiçevci, kryeshef i Agjencisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, thotë se kjo agjenci tashmë ka identifikuar faktorët që po ndikojnë në shuarjen e bizneseve. Ai thotë se në mesin e shumë faktorëve të falimentimit të kompanive, paraqitet mungesa e mjeteve financiare dhe ekonomia e paligjshme.
...pa një mbështetje pak më substanciale në aspektin financiar, bizneset do të kenë probleme.


“Ne, aktualisht, jemi duke bërë disa anketime me 800 biznese; nga kjo rezulton se bizneset kanë probleme me qasje në financa. Kreditë janë shumë të shtrenjta, periudhat e kthimit janë shumë të hershme dhe, normalisht, pa një mbështetje pak më substanciale në aspektin financiar, bizneset do të kenë probleme”,
thotë Graiçevci.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit tregojnë për problemet, me të cilat ballafaqohen. Betim Humolli, drejtor për zhvillim në ndërmarrjen “Albi Group”, thekson se kamatat e larta të kredive dhe ekonomia joformale mbesin probleme kryesore për kompanitë private në Kosovë.
Kamatat e larta mund të vlerësohen që janë njëra ndër barrierat që çojnë në vështirësi të mëdha...

“Kamatat e larta mund të vlerësohen që janë njëra ndër barrierat që çojnë në vështirësi të mëdha dhe të cilat mund të jenë si faktorë kontribuues në falimentimin apo krijimin e vështirësive të shumë ndërmarrjeve, qofshin ato të mesme, të vogla apo edhe të mëdha”
, thekson Humolli.

Por, ekspertë për çështje ekonomike, nuk pajtohen se normat e interesit për kredi janë shkak i falimentimit të bizneseve në Kosovë. Lidhur me këtë eksperti Ejup Qerimi, shpjegon më shumë:

“Puna e kreditimit të biznesit është normale dhe zakonisht kur aplikohet për kredi, merret parasysh edhe kamata dhe ajo hyn në biznes-plan. Do të thotë, në qoftë se punohet në bazë të një plani, kamata është e kalkuluar dhe nuk duhet të rrezikohet biznesi”.


Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë kanë konfirmuar angazhimin e vazhdueshëm për krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset. Në këtë drejtim, është ulur edhe tatimi në fitim nga 20 në 10 për qind

Megjithatë, Naser Graiçevci pranon se sektori privat ballafaqohet me probleme të shumta.

“Kemi një strategji të qartë se si do të mbështeten bizneset; prej bizneseve potenciale, ata që dëshirojnë të hyjnë në biznes, e deri te faza e fundit e daljes nga biznesi. Por, duhet të them se këto ende janë mbështetje simbolike në krahasim me nevojat, dhe në krahasim me vendet e rajonit, të cilat mbështesin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”,
pohon Graiçevci.

Megjithatë, ekspertë për çështje ekonomike shprehin shqetësimet e tyre, për faktin se me shuarjen e bizneseve, po shuhen shumë vende të punës, çka rrjedhimisht ndikon edhe në rritjen e shkallës së varfërisë në vend.

Lexoni edhe këto:

Ambient i (pa)favorshëm biznesi
Fajdetë rrezikojnë bizneset
XS
SM
MD
LG