Ndërlidhjet

Nis zbatimi i Ligjit për duhanin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ndonëse kishte hyrë në fuqi që në shkurt të vitit të kaluar, Ligji për duhanin tek tani ka filluar të zbatohet në disa vende publike.

Blerim Iseni, menaxher i kafeterisë “Rings”, thotë se ky lokal ka ndarë hapësirën prej 30 për qind për duhanpirësit, ashtu siç e parasheh Ligji për duhanin.

“Ne e kemi mirëpritur zbatimin e ligjit dhe ashtu siç edhe parashihet me ligj, në hapësirën prej 70 për qind të mos pihet duhani, e në 30 për qind lejohet pirja, mendoj se kemi kushte dhe hapësirë të mjaftueshme për ta zbatuar. Kërkohet ambient i veçantë dhe ventilim shtesë aty ku pihet duhani, por mendoj se kemi kushte për ta zbatuar ligjin
”, thotë Iseni.

Ndërkaq, qytetarët mendojnë se zbatimi i ligjit është i mirëseardhur. Luljeta Suka nga Prishtina shprehet:

Ligji parasheh që në 70% të hapësirës të mos pihet duhani, ndërkaq lejohet pirja në hapësirën prej 30%.
“Mendoj se zbatimi i Ligjit kundër duhanit, sidomos nëpër lokale, aty ku pihet më së shumti, është shumë i mirëseardhur për qytetarët e Kosovës, sepse duhanpirja shkakton problem edhe tek ata që nuk pinë duhan. Ndarja në kthina e lokaleve, për mendimin tim, është shumë e mirë, sepse ata që e pinë duhanin të paktën e dinë ku e kanë vendin dhe nuk i pengojnë qytetarët e tjerë”.

Në anën tjetër, Faik Hoti, drejtor për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se tashmë inspektorët kanë dalë në terren dhe restoranteve e kafeterive do t’u jepen disa ditë kohë deri në zbatimin e plotë të Ligjit kundër duhanit.

“Ministria e Shëndetësisë, e cila është e obliguar që të mbikëqyrë zbatimin e këtij ligji, së bashku edhe me disa subjekte tjera, nuk është e kënaqur sa duhet me zbatimin e tij. Ky ligj në vendet e rajonit po zbatohet me një rigorozitet të theksuar dhe ka mundur të zbatohet edhe në Kosovë”.

“Sidoqoftë ka qenë qëndrim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe edhe i vetë shoqërisë civile që të gjendet një konsensus, në mënyrë që kur të fillojë zbatimi i tij, kjo të bëhet si duhet. Andaj do t’u jepet edhe pak kohë derisa të fillojnë masat ndëshkuese”,
bën të ditur Hoti.

Ndërkaq, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë se tymosja e duhanit paraqet një problem mjaft të rëndë për shëndetin publik, duke e marrë parasysh që çdo vit në botë vdesin me miliona njerëz nga pirja e duhanit, si dhe miliona të tjerë sëmuren nga kanceri.

Prandaj, sipas Sylës, është e domosdoshme që ligjet e aprovuara dhe të miratuara, të zbatohen në praktikë.

”Çdo vonesë e zbatimit të Ligjit të duhanit, do të thotë marrje e jetës së njerëzve, sepse tymosja nuk i dëmton vetëm ata që e konsumojnë duhanin në mënyrë aktive, por edhe ata që ekspozohen në mënyrë pasive”,
përfundon Syla.
XS
SM
MD
LG