Ndërlidhjet

Ku duhet të hidhen barnat me afat të skaduar?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Barnatoret e Kosovës, si dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare janë të obliguara me ligj që nga qytetarët të pranojnë barna apo medikamente me afat të skaduar të përdorimit ose të dëmtuara. Kjo parashihet me udhëzimin administrativ 05 / 2008, neni 7, pika 5, të botuar në Gazetën Zyrtare.

Mirëpo, barnat me afat të skaduar pothuajse çdo qytetar i hedh në mbeturina të zakonshme, derisa ndotja e ambientit në vend ka qenë temë debatesh nga më të ndryshmet, që vinin në pah tejkalimin e normave të lejuara.

Qytetarët, farmacistët dhe punonjësit shëndetësorë nuk janë në dijeni për ligjin në fjalë. Shehide Maloku nga Prishtina, thotë se barnat me afat të skaduar i hedh në mbeturina të zakonshme.

“Barnat i gjuaj në bërllok. Nuk kam dëgjuar që bën t’i dërgoj në barnatore ose në ambulantë; s’kam dëgjuar asnjëherë, nuk e di”,
shprehet kjo qytetare.

Ndërkaq, Besa Kelmendi, farmaciste, thotë se asnjëherë nuk ka dëgjuar për ligjin në fjalë dhe asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga qytetarët për kthimin e barnave me afat të skaduar.

“Unë punoj shumë gjatë si farmaciste në sektorin privat dhe nuk paskam dëgjuar, gjatë gjithë këtyre viteve, që ekziston Ligji që personat fizikë mund të bëjnë dorëzimin e barnave me afat të skaduar nëpër farmaci ose Qendra të Mjekësisë Familjare”,
thotë Kelmendi.

Ajo shton se për barnat me afat të skaduar që posedon në barnatoren e saj, për t’i dërguar në vendet e caktuara për asgjësim, është një procedurë e komplikuar.

“Përndryshe, për barnat tona me afat të skaduar është një procedurë aq e gjatë, aq e komplikuar për të arritur ato deri te vendi për t’u asgjësuar. Është dashur të gjendet ndonjë mënyrë tjetër që të na lehtësohet edhe neve. E, përderisa unë, si farmaciste, nuk jam e informuar me Ligjin, nuk presim nga qytetarët që ata të jenë të informuar për këtë çështje, edhe pse është mjaft e ndjeshme”.


“Prandaj do të duhej që Ministria e Shëndetësisë ta sensibilizonte këtë çështje, që të informohen edhe qytetarët, edhe farmacistët, duke marrë parasysh edhe rrezikun që shkaktojnë barnat me afat të skaduar”,
thekson Kelmendi.

Ndërkaq, sipas stomatologut Ardian Nura, ligji në fjalë është i panjohur për të, derisa shton se të gjitha pajisjet e rrezikshme të ordinancës i grumbullon dhe i asgjëson vetë, në formën që ai e cilëson primitive.

“Unë nuk kam dëgjuar që barnat me afat të skaduar mund të kthehen në farmaci. Unë si stomatolog mundohem të bëj njëfarë klasifikimi dhe atë e bëj patjetër, ato të cilat mund të hidhen, ato të përditshmet të ordinancës, ato i hedh në kontejner, por jo edhe ato që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me pacientin, e që mund të jenë infektuese - ato nuk i hedh, por i grumbulloj në një paketim të posaçëm dhe i djeg”,
tregon Nura.

Ai shton se mënyra si e aplikon menaxhimin e mbeturinave nuk është profesionale, por në mungesë të një menaxhimi më të mirë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, është i detyruar ta bëjë vetë.

“Unë as që kam dëgjuar që ndonjë koleg imi stomatolog i dërgon në ndonjë vend të posaçëm, pra në ndonjë furrë për t’i djegur. Por, kurrsesi nuk i hedhin në kontejner, sepse paraqesin rrezik shumë të madh për njerëzit që do të mund të ishin në kontakt, për shembull, me shiringat”,
shton Nura.

Në anën tjetër, drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se së shpejti do të ftohen të gjitha farmacistët e Kosovës për të diskutuar formën e asgjësimit të barnave me afat të skaduar.

“Kjo ministri, këtyre ditëve do të bëjë një shpallje të shprehjes së interesit, pasi tashmë ka filluar asgjësimi i barnave me afat të skaduar. Gjithashtu, do të informohen farmacistët që me rastin e shpërndarjes së barnave, t’u japin këshilla qytetarëve se çka duhet bëjnë me barnat me afat të skaduar që i kanë nëpër shtëpitë e tyre”,
bën të ditur Hoti.

Hoti thekson se sa i përket barnave pa afat, Ministria e Shëndetësisë bashkë me Ministrinë e Ambientit ka pasur probleme dhe kjo çështje vazhdon të jetë evidente dhe gjatë këtij viti.

Kosova nuk ka furra adekuate për asgjësimin e këtyre barnave që janë grumbulluar me vite. Përjashtim bëjnë vetëm disa spitale që posedojnë disa furra të vogla, e që shfrytëzohen për nevoja spitalore.

Lexoni edhe këto:

Barna me afat të skaduar
Furnizimi me barna - dyshime për keqpërdorim
XS
SM
MD
LG