Ndërlidhjet

Synimet për zhvillim ekonomik


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, në bashkëpunim me udhëheqës të Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Aleancës Kosovare të Biznesit, kanë nënshkruar sot një protokoll për themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik të Kosovës. Formimin e tij, ekspertët e ekonomisë e rendisin në vazhdën e premtimeve parazgjedhore.



Këshilli Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik do të mundësojë ambient të qëndrueshëm ekonomie, përmirësim të sektorit privat dhe mjedis më të përshtatshëm për investitorët ndërkombëtarë, tha kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Të angazhohen fuqishëm (komuniteti i biznesit dhe qeveria) në gjetjen e zgjidhjeve ligjore dhe institucionale, që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e ambientit biznesor në Republikën e Kosovës; po ashtu, edhe në zbatimin e masave më efektive, në rritjen e aftësive konkurruese të ekonomisë së vendit, në harmoni me praktikat më të mira rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Këto komente, kryeministri në dorëheqje i bëri gjatë nënshkrimit të një protokolli për themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik në Republikën e Kosovës, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, tha se krijimi i këtij këshilli do t’i fuqizojë përpjekjet e komunitetit të biznesit dhe të qeverisë, për të krijuar ambient më të mirë për investime dhe rritje të shkallës së punësimit.

“Ne, kryeministrin do ta ‘sulmojmë’ edhe më tutje me kërkesat tona të përbashkëta, për të krijuar një ambient më të mirë për zhvillimin ekonomik të vendit. Kryeministri është zotuar se edhe në të ardhmen do ta bëjë atë që është brenda mundësive”
, u shpreh Shahini.

Formimi i këtij këshilli dëshmon bashkëpunimin e mirëfilltë në mes të komunitetit të biznesit dhe institucioneve shtetërore, tha Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

“Besoj se një protokoll i tillë do të jetë një promotor i zhvillimit më të hovshëm. Ky protokoll është marrë nga metodat më të avancuara të vendeve të rajonit dhe më gjerë”.

“Prandaj, themelimi i një këshilli të tillë kombëtar është edhe një hap para, që dëshmon se për Kosovën prioritet i prioriteteve do të jetë zhvillimi ekonomik”
, tha Gërxhaliu.

Duke shpresuar se ky dokument do të gjejë zbatim në praktikë, Lekë Musa, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, tha:

“Shpresojmë se kjo do të jetë një platformë, prej nga komuniteti i biznesit do të ketë mundësi që t’i plasojë brengat e tij. Do të jetë një mundësi e mirë për t’i eliminuar burokracitë e tepërta“.

Por, të paarsyeshëm themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik, e konsiderojnë ekspertët e kësaj fushe.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, tha se një akt i tillë ndodh në vazhdën e premtimeve që po bëjnë subjektet politike për zgjedhjet e 12 dhjetorit.

“Unë nuk shoh se ky këshill do të jetë bartës i politikave zhvillimore, për arsye se aty mund të kyçen njerëzit që janë të fushave përkatëse, porse nuk është institucion”
, tha Musa.

Këshilli Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik, sipas kryeministrit në dorëheqje, Hashim Thaçi, do të hyjë në fuqi në një nga tri mbledhjet e para të qeverisë së ardhshme.

Lexoni edhe këto:
Kosovës i duhet rritje dyshifrore ekonomike
Përmasat e krimit ekonomik

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG