Ditë më parë, mediat serbe njoftuan se Beogradi tashmë ka të gatshme platformën për bisedime me palën kosovare. Kjo platformë thuhet se bazohet mbi “rezolutat parlamentare për Kosovën”.
Mirëpo, informatat e tilla shkaktuan skepticizëm te përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë. Zëvendësministrja e Jashtme në dorëheqje, Vlora Çitaku, thotë për Radion Evropa e Lirë se përgjatë proceseve të kaluara të negocimit me Serbinë, është dëshmuar mungesa e ndonjë platforme nga pala serbe.
“I marr me shumë skepticizëm deklaratat e bëra në Beograd. Kosova dhe Serbia kanë një të kaluar përpjekjesh për bisedime dhe në këto procese negocimi, të cilat janë bërë me facilitimin ndërkombëtar, Serbia asnjëherë as nuk ka pasur platformë, e as nuk ka qenë e gatshme që të jetë konstruktive”, thotë Çitaku.
Megjithatë, përfundimi i procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit në Kosovë, sipas saj, duhet t’i paraprijë çfarëdo dialogu me shtetin serb.
Çitaku thekson se për të biseduar me Beogradin mbi temat që janë në interesin e së ardhmes euro-atlantike të vendit, nevojitet një qeveri që gëzon legjitimitetin e popullit të Kosovës.
“Është e vërtetë që për një varg çështjesh për të hyrë në proces, Kosova duhet të ketë qeveri me legjitimitet të plotë qytetar dhe ky legjitimitet vjen vetëm përmes votës së lirë”, thekson Çitaku.
Edhe pse Brukseli zyrtar, deri më tani, ende nuk ka caktuar formatin, agjendën dhe kohën e nisjes së bisedimeve, emrat kryesorë që janë përmendur në lidhje me këto bisedime janë ai i presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, dhe ai i kryeministrit tash në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçi.
Opozita në Kosovë vlerëson se procesi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit nuk duhet të lidhet me emra.
Sekretari i përgjithshëm i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se qeveria e ardhshme e Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, duhet të fokusohet në agjendën evropiane të vendit, pjesë e së cilës sipas tij, janë edhe bisedimet me shtetet e rajonit.
“Kjo nuk mund të lidhet me emra individësh, por me institucione të Kosovës. Ne jemi të bindur që qeveria e ardhshme do ta udhëheqë vendin në drejtim të integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe si pjesë e kësaj, janë edhe bisedimet për çështjet e marrëdhënieve bilaterale për të gjitha shtetet në rajon. Kjo nënkupton që qeveria e udhëheq procesin”, shprehet Ramadani.
Çështja e personave të pagjetur, mirëpo edhe të gjitha temat që ndërlidhen me pjesën veriore të Kosovës pritet të jenë pjesë e bisedimeve të ardhshme ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Prishtina zyrtare vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e saj se me palën serbe do të pranojë të bisedojë vetëm si dy shtete të barabarta, ndërsa në Beograd thonë se çështja e statusit të Kosovës do të jetë temë e pashmangshme e dialogut.
Lexoni edhe këto: Roli i padiskutueshëm i SHBA-ve
Mbështetja për Kosovën