Ndërlidhjet

Ku shpenzohen remitencat?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Afër 20 për qind e kosovarëve pranojnë mjetet financiare nga familjarët e tyre që jetojnë në vend të ndryshme të Evropës, thuhet në një raport të përgatitur nga disa institucione ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë dhe Banka Qendrore e Kosovës. Sipas raportit, thuhet se pjesa më e madhe e remitencave përdoret për konsum.


Remitencat vazhdojnë të luajnë një rol të madh në ekonominë e Kosovës dhe njëherësh këto dërgesa janë element i rëndësishëm për zbutjen e varfërisë në vend, pasi afër 20 për qind e familjeve kosovare pranojnë remitenca, shifër kjo që është më e lartë në zonat rurale, sesa në zonat urbane.

Kështu thuhet në raportin e publikuar, të titulluar “Studimi i remitencave në Kosovë për vitin 2010”, përgatitur nga disa institucione ndërkombëtare dhe vendore. Në këtë hulumtim janë përfshirë 4000 familje prej tyre 600 nga komuniteti serb.

Osnat Lubrani, përfaqësuese e përhershme e UNDP-se, tha se remitencat ndikojnë në zvogëlimin e shkallës se varfërisë në Kosovë duke ngritur veçanërisht nivelin e të ardhurave të familjeve të varfra. Sipas rezultateve të hulumtimit, pjesëmarrja e remitencave në GDP-në e vitit 2009 është 11 për qind.

Të ardhurat nga remitencat kontribuojnë në rreth 40 për qind të totalit të ardhurave të përgjithshme mujore të familjeve që i pranojnë ato, tha Lubrani, për të shtuar se kjo tregon se ato janë instrument i rëndësishëm për zvogëlimin e varfërisë, në përmirësimin e përkujdesjes shëndetësore dhe përmirësimin e arsimit, veçmas në zonat rurale.

Diaspora e Kosovës ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e udhëtimit të vendit nga përpjekjet për të mbijetuar deri në stabilitetin ekonomik, tha Azza El-Abd, zëvendësdrejtore e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara, USAID.

“Tani sfidë para nesh mbetet fakti që të ndihmojmë që remitencat t’i largojmë nga konsumi dhe gjërat bazike, në mënyrë që këto mjete të orientohen tek investimet dhe krijimi i bizneseve të cilat gjenerojnë vende të reja pune”
, tha Azza El-Abd.

Edhe ministri në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, theksoi se dërgesat e emigrantëve kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, po e ndihmojnë shtetin e Kosovës në rrugën e pavarësimit të plotë ekonomik dhe në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme.

“Prandaj, në këtë kontekst, roli i remitenacve në ekonominë e Kosovës, ka qenë esencial gjatë gjithë historisë së saj, por rëndësia e tyre u rrit në veçanti gjatë dekadës së fundit, ku së bashku me ndihmën e pranuar nga donatorët, remitencat ndikuan ndjeshëm në përmirësimin e zhvillimit ekonomik”,
theksoi Shala.

Ndryshe, shuma e përgjithshme e remitencave të pranuara në vitin 2009 ka arritur në 422.7 milionë euro, nga kjo shumë mbi 45 për qind kanë qenë para të gatshme, ndërsa pjesa tjetër është shpenzuar për konsum, investime në biznes dhe banim.
Deri në fund të vitit ne presim që, pak a shumë, niveli i remitencave në Kosovë të jetë i ngjashëm me vitin paraprak.

Por, në pjesën e parë të këtij viti, dërgesat nga jashtë
kanë shënuar një ngritje të vogël, bëri të ditur Gani Gërguri, ushtrues i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Në gjysmë-vjetorin e parë të këtij viti, kemi rreth 1.3 për qind të remitencave; ndërsa rezultate preliminare, deri në këtë moment, flasin gjithashtu për një rënie të vogël të tyre. Deri në fund të vitit ne presim që, pak a shumë, niveli i remitencave në Kosovë të jetë i ngjashëm me vitin paraprak”
, tha Gërguri.

Në anën tjetër, qytetarët në Prishtinë thanë se dërgesat nga jashtë kanë shënuar rënie. Sejdi Llapi, ka djalin në Angli. Ai tregoi për Radion Evropa e Lirë se djali herë pas here i dërgon para, të cilat ai, në të shumtën e rasteve i përdor për shërbime mjekësore.

“Kam djalin që nëntë vite në Angli. Punon në ndërtimtari. Siç thotë ai, ka rënë standardi edhe atje, por mua më ndihmon, m’i dërgon nga 100 euro në muaj, por më tepër i përdori për veshmbathje dhe shërbime mjekësore”,
u shpreh Llapi.

Ndryshe, sipas raportit llogaritet se 400 mijë kosovarë jetojnë jashtë vendit.
Po, ashtu në raport thuhet se familjet që pranojnë remitenca, fitojnë mesatarisht 480 euro në muaj, nga të cilat 194 euro janë nga dërgesat e familjarëve që jetojnë në diasporë.

Këto familje, sipas studimit, shpenzojnë 22 për qind më tepër në kujdes shëndetësor dhe shtatë për qind më shumë në arsimim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG