Ndërlidhjet

A do të ketë ngrohje gjatë sezonit të dimrit?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ngrohtorja e qytetit “Termokos” rrezikon të mbyllë sezonin e ngrohjes para kohës, thotë Zana Efendija, zëdhënëse e këtij institucioni. Sipas saj, borxhet e konsumatorëve si dhe të institucioneve publike e private janë shumë të mëdha.

Zëdhënësja Efendia thotë se deri tash nuk kanë marrë asnjë subvencion shtesë nga ana e institucioneve të larta gjatë këtij viti, me gjithë kërkesat e shumtë dhe kjo e ka sjellë “Termokosin” në këtë situatë.

Konsumatorët juridikë ose ata afaristë, i kanë borxh ‘Termokosit’ mbi 2 milionë euro, derisa ata të amvisërisë i kanë borxh mbi 12 milionë euro. Ndonëse është duke vazhduar sezonin e ngrohjes, megjithatë ‘termokosi’ rrezikon të mbyllë sezonin e ngrohjes para kohe, në qoftë se nuk sigurohet ndihmë nga institucionet dhe pagesat e konsumatorëve për sigurimin e lëndës djegëse, mazutit”, bën të ditur Efendia.

Efendia shton se me ndërprerjen e ngrohjes, do të mund të pësonin 13 mijë konsumatorë me rreth 300 mijë banorë, duke përfshirë edhe institucionet më të ndjeshme si Qendra Klinike Universitare, shkollat dhe çerdhet.

Në anën tjetër, Shqipe Sfarça, zyrtare për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se Qendra Klinike Universitare tashmë e ka të ndarë buxhetin për shpenzime komunale dhe pritet që borxhin e “Termokosit” do ta shlyejnë gjatë këtij viti. Ndërkaq, shton se edhe institucioni në fjalë duhet të ketë mirëkuptim kur bëhet fjalë për institucionet vitale si QKUK-ja.

“QKUK-ja e ka të ndarë buxhetin e ndarë për shpenzime komunale dhe mund të ndodhë që të ketë probleme rreth pagesave, mirëpo këto probleme mund të jenë teknike dhe besoj që do të arrihet që brenda vitit, të shlyhen gjitha borxhet”.

“Ministria e Shëndetësisë kërkon mirëkuptim nga ‘Termokosi’ dhe kompanitë tjera publike që kur është fjala për QKUK-në, të kenë pak mirëkuptim, duke e marrë parasysh rëndësinë vitale që ka ky institucion”,
thotë Sfarça.

Mirëpo, parapaguesit e rregullt konsiderojnë se nuk është e drejtë të shkyçen nga rrjeti i ngrohtores për shkak të atyre qytetarëve, të cilët nuk e paguajnë ngrohje. Arlinda Abazi, qytetare, shprehet:

“Jam parapaguese e rregullt e ngrohjes ‘Termokos’. Unë mendoj që do të duhej që për qytetarët që e paguajnë ngrohjen, të mundësohet të kenë ngrohje gjatë gjithë kohës, ndërsa për ata që nuk e paguajnë, të bëhet shkyçje individuale, sepse nuk është fer për parapaguesit e rregullt të mos kenë ngrohje gjatë sezonit të dimrit”.


Mirëpo, Zana Efendia sqaron se nuk ekziston ndonjë sistem i shkyçjes individuale dhe qytetarët që paguajnë, pësojnë për shkak të atyre që nuk paguajnë ngrohje.

“Borxhi i konsumatorëve është mbi 15 milionë euro nga periudha 1999 e deri këtë vit. Derisa për dy sezonet e fundit është mbi 3 milionë euro. Nuk ka ndonjë sistem për ata konsumatorë, të cilët e paguajnë ngrohjen dhe ndërprerja teknike është e atillë që nuk ka ndarje”,
sqaron Efendija.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve nga “Termokosi”, tash për tash ka rezerva të lëndës djegëse, mazutit, dhe ngrohja është duke funksionuar normalisht e pa ndërprerje. Por, mazuti që aktualisht kanë, nuk është i mjaftueshëm për të siguruar një sezon stabil të ngrohjes deri në fund të dimrit.
XS
SM
MD
LG