Ndërlidhjet

Buxheti 2011: Pasojat e zvarritjes


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë


Ndonëse Ministria e Ekonomisë dhe Financave tashmë ka deklaruar se ka përgatitur projektbuxhetin për vitin 2011, anëtarë të Komisionit për Buxhet thonë se Qeveria nuk e ka dorëzuar ende atë në Kuvendin e Kosovës.

Gani Koci, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, thotë se afati i fundit për dorëzim të projektbuxhetit ishte data 30 tetor.

Koci nuk beson se buxheti mund të miratohet gjatë këtij viti. Sipas tij, nëse në seancën e së martës Kuvendi voton pro mocionit të votëbesimit të Qeverisë, miratimi i buxhetit për vitin 2011 do të bartet te përbërja e re e legjislativit, që pritet të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Ka shumë pak gjasa që në këtë mandat të deputetëve të miratohet buxheti...

“Data 30 ka qenë ditë vikendi dhe nuk e di nëse është dorëzuar ose jo. Ka shumë pak gjasa që në këtë mandat të deputetëve të miratohet buxheti, pas asaj që do të zhvillohet nesër, pas mocionit”, shprehet Koci.

Megjithatë, ai thotë se nuk do të krijohet vakuum buxhetor nëse buxheti nuk aprovohet për shkak të zhvillimeve aktuale. Sipas Kocit, Ligji për menaxhimin e financave mundëson që në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm të vazhdohet me 1/12 e buxhetit të vitit 2010.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike, mosmiratimin e buxhetit për 2011-ën e quajnë gabim të autoriteteve përgjegjëse.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se problemi kryesor në këtë drejtim paraqitet në aspektin institucional. Me këtë, shton ai, institucionet kosovare krijojnë një imazh të keq karshi faktorit ndërkombëtar dhe donatorëve potencialë.
...me mosaprovimin e buxhetit në muajin tetor apo nëntor, jepet një pasqyrë shumë e keqe para të huajave.

Një ndër problemet, që besoj se është më i madhi, është aspekti institucional, sepse me mosaprovimin e buxhetit në muajin tetor apo nëntor, jepet një pasqyrë shumë e keqe para të huajave, opinionit publik dhe donatorëve të mundshëm”, thotë Bektashi.

Sipas tij, vonesat në miratimin e buxhetit për vitin 2011 rrezikojnë mbarëvajtjen e proceseve të ndryshme ekonomike dhe financiare në Kosovë.

Bektashi thotë se situata e krijuar politike mund të ndikojë në realizimin e shumë projekteve kapitale dhe në tërheqjen e investimeve të huaja. Madje, sipas tij, ajo rrezikon edhe donacionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Problemi më tepër ka të bëjë me tërheqjen apo mospagimin me kohë të donacioneve që janë nga disa shtete të Bashkimit Evropian, por edhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Unë besoj se është gabim shumë i madh që është shtyrë miratimi i buxhetit, sepse mund të ketë implikime në mbarëvajtjen e aktiviteteve ekonomike”, thekson Bektashi.

Nëse gjatë këtij viti nuk miratohet buxheti 2011, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajit e parë të vitit të ardhshëm realizohen vetëm pagesat për nevoja emergjente, ndërsa pezullohen pagesat për investime kapitale.
XS
SM
MD
LG