Ndërlidhjet

Beogradi ushqen iluzione


Parlamenti i Serbisë
Parlamenti i Serbisë
Beogradi zyrtar ende nuk ka qëndrim për daljen ose jo të serbëve në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

Mendimet në Beograd për këtë çështje janë të ndara dhe me plotë dilema.

Partia në pushtet nuk do të deklarohet rreth kësaj çështjeje, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Jelena Trivan, zëdhënëse e Partisë Demokratike:

Do të kemi një qëndrim në nivel të shtetit. Partitë në pushtet nuk do të deklarohen, para se në nivel të qeverisë dhe shtetit të arrihet një marrëveshje”.

Duke përkujtuar se në ciklet tjera zgjedhore në Kosovë, Qeveria e Serbisë jep mendimin në çastin e fundit. Milivoje Mihajloviq, shef i Zyrës për media në Qeverinë e Serbisë, thotë se vendimi nuk është marrë, ndërsa i pyetur se kur do të bëhet një gjë e tillë, pohon:

“Ende nuk ka asnjë sinjal se kur mund të bëhet një gjë e tillë”.

Analisti tjetër Dejan Vuk Stankoviq thotë se me këtë qëndrim serbët e Kosovës mbahen në gjendje konfuzioni dhe dëmtohen.

“Pasi që zgjedhjet do të mbahen dhe pushteti do të zgjedhet, ky është një problem i madh për serbët”, vlerëson Stankoviq.

Qëndrim të qartë nuk shprehet të ketë as Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën:

Qeveria e Serbisë në vitin 2001 ka mbështetur zgjedhjet në Kosovë, në vitin 2004 ishte e ndarë, ndërsa në vitin 2007 ka qenë unanimisht kundër pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje. Për këtë kohë kaq të shkurtër nuk ka qenë e mundur të harmonizohet një qëndrim rreth kësaj çështje”, thotë Ivanoviq.

Kushtetuta e Kosovës u garanton serbëve 10 mandate në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për të fituar për shembull 13 mandate duhet që në zgjedhje të dalin së paku 100 000 pjesëtarë të komunitetit serb.

Analistët në Beograd thonë se serbët nuk do të fitojnë asgjë nëse vendosin t'i bojkotojnë zgjedhjet kosovare.

Dejan Stankoviq në këtë temë pohon:

“Nëse nuk dalin në zgjedhje, gjithsesi që nuk do të marrin pjesë në punën e institucioneve që drejtpërdrejtë kanë të bëjnë me organizimin e jetës së tyre në Kosovë. Kjo do të ishte një humbje e madhe për ta, sepse kështu humbin rastin që të ndikojnë në fatin e tyre. Por, çfarë fitojnë me mosdalje? Vetëm vazhdimin e shpresës së rreme se gjërat në Kosovë mund të ndryshohen nga themeli, përkatësisht se mund të ketë kthim të gjendjes së para 10 vjetëve”.

Sreqko Mihjalloviq, një analist tjetër, thekson se rrëfimi për rolin e Beogradit në zgjedhjet kosovare ka marrë fund.

“Rrëfimi për Kosovën ka marrë fund. Serbia po tallet me këtë çështje. Beogradi nuk mund të bëjë asgjë dhe këtë çështje duhet lënë serbëve të Kosovës dhe ata të marrin në duart e veta fatin tyre. Ata duhet të vendosin për dalje ose në zgjedhjet kosovare, ndërsa Qeveria e Serbisë nuk ka përse përzihet në këtë punë”, konkludon analisti Sreqko Mihajlloviq.



Serbët e Kosovës të ndarë rreth zgjedhjeve

Politikanët serbë të Kosovës shprehin ndasi të theksuara lidhur me pjesëmarrjen eventuale të komunitetit serb në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Rada Trajkoviq, politikane nga Graçanica, e quan të domosdoshme këtë pjesëmarrje. Sipas saj, ajo do të ishte në favor të serbëve të Kosovës në vigjilje të proceseve, të cilat e presin Prishtinën dhe Beogradin.

“Unë mendoj se asnjëherë sikur tash, nuk ka qenë më e nevojshme që serbët të dalin në zgjedhje. Ata duhet të dalin sa më shumë dhe populli t’u japë legalitetin dhe legjitimitetin njerëzve që do të kandidohen. Kjo duhet të ndodhë, thjesht për të fituar përfaqësuesit relevantë serbë, të cilët do të jenë faktorë në dialogun, i cili pritet të ndodhë në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.

“Duhet të zgjedhim serbë të përgjegjshëm dhe jo të tillë që Prishtina ose udhëheqësia institucionale shqiptare do t’i llogariste si ‘kolonë të pestë’, apo të tillë që do të pranonin që procesi asimilues të bëhet realitet”,
thotë Trajkoviq.

Sipas saj, nuk duhet të zgjidhen as përfaqësues të serbëve, të cilët do të ishin tërësisht lojalë ndaj Beogradit.

Por, Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës dhe përfaqësues i Partisë Demokratike të Serbisë, thotë se dalja ose jo e serbëve në zgjedhjet parlamentare të Kosovës nuk do të ndikojë në atmosferën e fillimit të pritshëm të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Sipas tij, pavarësisht nga ky fakt, Beogradi zyrtar do të dëgjojë këshillat e Brukselit dhe Uashingtonit. Ai e kundërshton favorizimin e idesë së daljes së serbëve në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

“Me daljen në zgjedhje, serbët do ta verifikonin formimin edhe të një shteti shqiptar në Ballkan dhe kjo nuk është në frymën e interesave nacionale dhe shtetërore serbe. Për këtë arsye, ne jemi tërësisht kundër paraqitjes së serbëve në këto zgjedhje, në tërë territorin e Kosovës”.

“Por, a do të marrin pjesë serbët ose jo, kjo do të varet shumë nga ajo se çfarë do të thotë Beogradi zyrtar dhe Qeveria serbe”,
vlerëson Jakshiq.

Në anën tjetër, për zonjën Trajkoviq, kundërshtimet e politikanëve serbë të veriut, të cilët janë pjesë e Partisë Demokratike Serbe dhe Partisë Radikale Serbe, kanë qenë të pritshme.

Megjithëkëtë, sipas saj, ka parti të tjera, të cilat ende nuk e kanë definuar qëndrimin e tyre. Siç thotë Trajkoviq, një pjesë e madhe e popullatës serbe në veri dëshiron stabilitet në hapësirën e Kosovës dhe një definim të ardhmërisë.

Trajkoviq pret që Beogradi zyrtar të mbajë qëndrim konstruktiv lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet që organizon Kosova.

“Unë mendoj se pas aprovimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme, Beogradi nuk ka arsye të jetë faktor destruktiv lidhur me daljen e serbëve në zgjedhje”.

“Përkundrazi, për mua do të ishte tërësisht normale, e pritshme, si dhe jocinike, nëse Beogradi do t’i përkrahte serbët që të dalin në zgjedhje”,
thotë Trajkoviq.

Ndërkaq, Marko Jakshiq kritikon Beogradin zyrtar për, siç thotë, dyfytyrësi, lidhur me qëndrimin e tij në të kaluarën ndaj pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhjet e organizuara nga institucionet kosovare.

Ai thotë se qëndrimi i Beogradit zyrtar do të jetë i ngjashëm edhe në të ardhmen.

“A do të veprojë Beogradi ngjashëm edhe për zgjedhjet parlamentare të 13 shkurtit, mbetet të shihet. Por, unë personalisht mendoj se do të jetë ngjashëm”.

“Sipas këtij parimi, pjesa më e madhe e serbëve do të dalin në zgjedhje, e, para së gjithash, serbët në anën jugore të lumit Ibër. Por, sa u përket serbëve që jetojnë në veri të Ibrit, besoj se nuk do të përgjigjen, ashtu siç ka ndodhur edhe me zgjedhjet lokale”,
deklaron Jakshiq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG