Autoritetet në Prishtinë presin që bisedimet e ardhshme me Serbinë të fillojnë pas procesit zgjedhor dhe konstituimit të institucioneve të reja.
Këto deklarata zyrtarët në Prishtinë i mbështesin në faktin se këto institucionet janë në fund të mandatit dhe se atyre u nevojitet legjitimiteti për bisedime me Serbinë.
Kurse, temat si çështja e të pagjeturve të luftës, sipas Qeverisë në Prishtinë, mund të diskutohet në çdo kohë.
Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, thotë se Prishtina do të jetë e gatshme të bisedojë me Beogradin pasi t’i ketë konstituuar institucionet e reja.
“Varet nga funksionimi i institucioneve, edhe i Kuvendit, edhe i Qeverisë. Ju e dini se mendimi im është që bisedimet më së miri është që të mbahet në një atmosferë të re, jo në këtë atmosferë që e kemi tani”, thotë Krasniqi.
Aktualisht, procesi i bisedimeve është në strukturim e sipër nga ana e Uashingtonit dhe Brukselit.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se procesi i vërtetë i bisedimeve ndërshtetërore mund të pritet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme, të parakohshme.
Ndërkohë, ai nuk e përjashton mundësinë që Kosova dhe Serbia të diskutojnë edhe para zgjedhjeve në lidhje me çështjen e të pagjeturve të luftës.
“Unë besoj që legjitimiteti demokratik është i domosdoshëm për negociata apo dialog me cilindo vend tjetër, në këtë rast në veçanti me Serbinë. Kështu që mund të themi se temat që kanë të bëjnë me personat e pagjetur, apo diçka tjetër, kanë qenë në proces të dialogimit edhe më herët”.
“Por, temat e nivelit dhe përfaqësimit politik duhet të jenë pas zgjedhjeve. Arsyeja e vetme është që të zgjedhurit duhet të kenë legjitimitet të plotë politik, demokratik, por edhe fuqi politike për vendimmarrje”, thekson Kuçi.
Nisja e bisedimeve me Serbinë, përderisa institucionet e Kosovës janë në fund të mandatit, shihet si diçka e pamundshme edhe nga deputeti opozitar nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli.
“Kur kemi parasysh që institucionet janë edhe ashtu në fund të mandatit, sepse do të ketë zgjedhje të parakohshme, nuk ka asnjë mundësi që të kemi bisedime para zgjedhjeve të reja, si rezultat i të cilave gjithsesi do të krijohen institucione, do të kenë kredibilitet të mjaftueshëm për të hyrë në çdo lloj negociatash dhe në çdo lloj marrëveshjesh”, shprehet Makolli.
Me formimin e institucioneve të reja, në Kosovë do të krijohen parakushte më të favorshme për bisedime me Serbinë, thotë zëvendëskryeministri Kuçi.
Por, edhe atëherë, Kuçi thotë se për Kosovën do të jenë të papranueshme të diskutohen temat që kanë të bëjnë me statusin.
Se ky dialog ka karakterin e bisedimeve praktike, Kuçi rikujton edhe deklaratën e Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, e cila gjatë vizitës së fundit në Prishtinë tha se statusi, sovraniteti dhe integriteti i Kosovës nuk do të diskutohen.
Rolin amerikan në bisedimet e ardhshme, Kuçi e sheh si të domosdoshëm.
“SHBA-të e kanë pasur dhe e kanë rolin e pazëvendësueshëm në cilindo rast dhe në cilindo raport që Kosova e zhvillon me të tjerët, pa injoruar edhe rolin e domosdoshëm të BE-së”, deklaron Kuçi.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, gjatë vizitës në Prishtinë tha se bisedimet Kosovë - Serbi nuk duhet ndërlidhur me procese zgjedhore, sepse do të shkaktoheshin vonesa.
Por, ajo theksoi se fillimi i këtij dialogu varet edhe nga përgatitja dhe strukturimi i tij, proces ky tashmë i filluar ndërmjet Uashingtonit, Bashkimit Evropian, si dhe palëve që do të përfshihen në këto bisedime.