Ndërlidhjet

Privatizimi i Brezovicës - histori në vazhdime...


Brezovica gjatë stinës së dimrit...
Brezovica gjatë stinës së dimrit...

Autoritetet kosovare ende nuk kanë arritur të privatizojnë kompleksin turistik “Brezovica”, që gjendet në komunën e Shtërpcës, ndonëse përgatitjet për këtë proces kanë nisur që nga viti 2006. Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit shpresojnë që një gjë e tillë të realizohet vitin e ardhshëm.





Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ende nuk ka arritur të privatizojë kompleksin turistik “Brezovica”, që gjendet në komunën e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, thotë se AKP-ja, në bashkëpunim me zyrën ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, është duke bërë përgatitjet e duhura për këtë proces.

Kaloshi thotë se Agjencia ka hartuar një plan më të avancuar për privatizimin e këtij kompleksi, përmes të cilit, sipas tij, synohet privatizimi i tërë dhe jo shitja e lokalizuar.

“Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian ka kontraktuar tashmë një kompani për të dizajnuar master-planin, i cili do të shpjerë drejt privatizimit të mirëfilltë të Brezovicës, duke e shndërruar atë në qendër turistike për të katër stinët e vitit”.

“Kjo ka qenë edhe ideja e AKP-së, që të mos ketë privatizim të izoluar. Në këtë drejtim kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha palët e interesit. AKP-ja shpreson se shumë shpejt do të ketë risi sa i përket master-planit”,
thotë Kaloshi.

Përgatitjet për privatizimin e këtij kompleksi kanë filluar që nga viti 2006 nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, për shkak të, siç është thënë nga anëtarët e bordit të kësaj agjencie, ndërhyrjes së Beogradit zyrtar dhe pakënaqësive të banorëve të asaj ane.

Ndërkaq, vitin e kaluar është thënë se edhe banorët lokalë janë pajtuar me procesin e privatizimit. Atëbotë, zëvendësdrejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Shkumbin Bicaj, kishte deklaruar se disa asete të qendrës turistike “Brezovica” do të privatizohen në vitin 2010.

“Jemi duke bërë të gjitha përgatitjet për vitin 2010, kur do të fillohet me privatizimin e atyre ndërmarrjeve shoqërore që konsiderohen më të mëdha. Nuk janë shumë, por përgatitjet janë duke u zhvilluar për to, kështu që privatizimi do të ndodhë në vitin 2010”, kishte thënë Bicaj për Radion Evropa e Lirë në tetor të vitit të kaluar.

Por, Ylli Kaloshi thotë se privatizimi i këtij kompleksi nuk mund të ndodhë para 2011-ës.

“Është shpresuar shumë që këtë vit të ketë privatizim, por për shkak të përgatitjeve që po kërkojnë kohë, privatizimi pritet të ndodhë vitin e ardhshëm - në vitin 2011. Po punohet shumë, në mënyrë që të ketë një privatizim të suksesshëm, meqë është një qendër e rëndësisë së veçantë”, shprehet Kaloshi.

Qendra e skijimit “Brezovica”, sipas ekspertëve të ekonomisë, është një ndër komplekset më atraktive në Ballkan.

Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, beson se pas përfshirjes së Komisionit Evropian në këtë proces, privatizimi do të rezultojë me sukses, pavarësisht kohës se kur do të ndodhë.

“Ne presim që edhe autoritetet komunale të Shtërpcës, të cilat prapëseprapë në raport me disa pjesë të tjera të banuara me serbë, kanë qenë më kooperative, do të shohin interesin ekonomik të privatizimit dhe nuk do të krijojnë probleme politike. Çdo problem politik e dëmton procesin dhe krijon pasiguri tek investitorët”, thekson Rukiqi.

Brezovica është rajon turistik veror dhe dimëror që shtrihet në juglindje të Kosovës, përkatësisht në komunën e Shtërpcës, rreth 60 kilometra nga Prishtina.

Hapësira e qendrës së skijimit është rreth 2,500 hektarë. Përveç dy hoteleve “Narcis” dhe “Molika”, në këtë qendër ekzistojnë edhe 300 vila, të cilat lëshohen me qira.

Lexoni edhe këto:
A ka dështuar privatizimi në Kosovë?
Privatizimi i Brezovicës, sukses politik

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG