Ndërlidhjet

Rënie apo rritje ekonomike?



Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve qeveritarë se viteve të fundit ka pasur rritje ekonomike dhe përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve, njohës të çështjeve ekonomike thonë se gjendja ekonomike ka mbetur e njëjtë me vitet e pasluftës.

Me kushtet aktuale, sipas tyre, Kosova do të ketë një ekonomi të tillë edhe për vitet e ardhshme.

Alban Zogaj, nga Instituti “RIINVEST”, thotë se situata aktuale ekonomike nuk po tregon shenja të përmirësimit.

Ai thotë se në Kosovë ende ka mbetur shkalla e lartë e papunësisë dhe e varfërisë, se vendi vazhdon të varet nga importi i produkteve të huaja, ndërsa investimet e huaja nuk janë në nivelin e duhur.

Gjendja ekonomike është në vazhdim e tillë. Do të thotë, nuk ka ndonjë befasi për ne. Qysh prej pasluftës ne e kemi një gjendje të tillë të ekonomisë, e cila nuk po mund të ringjallet me këto trende".

"Këto probleme janë të trashëguara qysh nga vitet e 90- ta. Ne e kemi një papunësi shumë të lartë. Për të ulur nivelin e papunësisë, do të duhej një rritje ekonomike e qëndrueshme prej 7 për qind, minimum për 10 vjetët e ardhshëm, në mënyrë që ky nivel i papunësisë të bie përgjysmë”, thotë Zogaj.

Zhvillimi aktual ekonomik, sipas Zogajt, është i bazuar kryesisht në investimet publike dhe shumë pak në investimet e huaja. Megjithatë, Zogaj thekson se rregullatori kryesor i gjendjes ekonomike është Qeveria e Kosovës.

Roli i qeverisë në ekonomi është roli i rregullatorit. Qeveria duhet të krijojë një mjedis të përshtatshëm për biznes dhe për investime në Kosovë, në mënyrë që ne të kemi një nivel më të lartë të investimeve të jashtme dhe atyre private, që së bashku me ato publike të çojnë deri te një rritje ekonomike në Kosovë".

"Ne duhet të përmirësojmë gjendjen e ndërmarrjeve në Kosovë, në mënyrë që ato të jenë konkurruese në tregjet e jashtme”,
pohon Zogaj.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë pohojnë se ekonomia e Kosovës, pavarësisht krizës globale financiare, vitin e kaluar ka pasur një rritje mbi 4 për qind.

Selim Thaçi, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, thekson se edhe viti 2010 do të përmbyllet me një rritje pozitive rreth 5 për qind, duke vazhduar me rritje ekonomike edhe në vitin 2011 për afër 6 për qind.

Ai përmend kontribuesit që kanë ndikuar në këtë rritje.

Vërehet se kontributi i rritjes se investimeve kapitale nga ana e qeverisë paraqitet si një ndër kontribuesit kryesorë në vëllimin e kësaj rritjeje për vitin 2009, e cila nuk është diçka që ne mund të krenohemi, sepse ne synojmë që sektori privat të jetë ai që gjeneron rritje ekonomike”, thekson Thaçi.

Ai pret rritje ekonomike pas mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pas miratimit të rezolutës së fundit për Kosovën nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij, vendimet në favor të Kosovës do të ndikojnë pozitivisht tek investitorët e huaj, e rrjedhimisht ndikojnë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.
XS
SM
MD
LG