Ndërlidhjet

Punimet e autostradës Vërmicë – Merdare


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Zyrtarisht procesi i ndërtimit të autostradës kishte filluar në fund të muajit maj të këtij viti, kur edhe kompania fituese kishte sjellë në Kosovë makinerinë për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdare.

Autoritetet kosovare thonë se brenda tre muajve, prej kur kanë filluar punimet për ndërtimin e autostradës, është arritur të punohet aq sa ishte e paraparë nga konsorciumi fitues i tenderit “Bechtel & Enka”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Xhevdet Pozhari, thotë se kompania, e cila po kryen punimet e autostradës që nga fillimi, nuk ka hasur në ndonjë problem që do të mund të ngadalësonte rrjedhën e punimeve.
Raportet që na vijnë nga terreni, e të cilat janë të përditshme, flasin për një progres të madh të shënuar në ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdare.


“Raportet që na vijnë nga terreni, e të cilat janë të përditshme, flasin për një progres të madh të shënuar në ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdare”.

“Punimet janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë. Së pari punimet janë duke u kryer në pronat shoqërore, për të filluar më pas edhe në punimin e tokave private. Ndërsa, Ministria e Ekonomisë dhe Financave së bashku me komunat, janë duke bërë shpronësimin e pronave”,
thotë Pozhari.

Ai thekson se janë të kënaqur me punimet që është duke i bërë kompania. Sipas tij, nëse shkon gjithçka ashtu siç edhe ka filluar ndërtimi i këtij projekti mjaft të rëndësishëm për Kosovën, do të përfundojë brenda afatit të paraparë.

Afati i paraparë për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdare është brenda 36 muajve, që nga dita e fillimit të punimeve.

Ndërkaq sa i përket punësimit, që u premtua nga autoritetet në Kosovë se gjatë tre vjetëve të ardhshëm, sa planifikohet të zgjasë ndërtimi i autostradës Vërmicë - Merdare, do të punësohen rreth katër mijë punëtorë vendës, Pozhari jep më shumë hollësi:

“Deri më tani, sipas informatave që ne i kemi në bashkëpunim gjithmonë edhe me kompaninë, numri i punëtorëve dhe kompanive të interesuara është jashtëzakonisht i madh. Për punësimin e tyre dhe për kontraktimin e punëve është kompania ‘Bechtel & Enka’, ajo e cila i përcakton kriteret dhe në bazë të atyre kritereve, bëhet punësimi i punëtorëve që është premtuar”.

Sidoqoftë shqetësim për punësimin e punëtorëve në këtë projekt ka paraqitur Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, që shprehen të pakënaqur me kushtet e punës që po iu ofrohen këtyre punëtorëve.
...punëtorëve po iu ofrohen kushte të mjera. Pagesat janë tejet të ulëta - dita deri në 7 euro dhe pa ushqim...


Hasan Abazi nga BSPK-ja thotë:

“Sa i përket punësimit të punëtorëve që është duke u bërë në ndërtimin e rrugës autostradë Vërmicë - Merdare, sipas informatave që ne i kemi, punëtorëve po iu ofrohen kushte të mjera. Pagesat janë tejet të ulëta - dita deri në 7 euro dhe pa ushqim, që është një vlerë shumë e vogël. Punëtorët po diskriminohen”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG