Ndërlidhjet

Ku shërohen kosovarët?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Shuma vjetore që Ministria e Shëndetësisë ka ndarë për programin e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, është dy milionë euro, ndërkohë që kërkesat janë shumë më të mëdha. Zyrtarë të Ministrisë thonë se tashmë kanë nënshkruar një udhëzim administrativ, që nënkupton se disa shërbime shëndetësore duhet të fillojnë të implementohen në institucione private të vendit.


Pavarësisht asaj që shumë shërbime mjekësore kryhen brenda qendrave spitalore të Kosovës, një numër i madh i pacientëve kosovarë kërkojnë mjekim jashtë vendit.

Shuma vjetore që Ministria e Shëndetësisë ka ndarë për programin e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, është dy milionë euro, ndërkohë që kërkesat janë shumë më të mëdha, thotë Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Programi i trajtimit jashtë vendit i ka pasur këtë vit dy milionë euro dhe deri në këtë gjashtëmujor, shumica e të hollave janë shpenzuar. Pritet që në gjashtëmujorin e ardhshëm, Qeveria ta marrë parasysh rëndësinë dhe t’i shtojë mjetet, në mënyrë që të mos ndërpriten”,
thekson Hoti.

Ndërkaq, Ilir Tolaj, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë thotë se tashmë kjo ministri ka nënshkruar një udhëzim administrativ për trajtim jashtë vendit.

Sipas tij, kjo nënkupton që disa shërbime shëndetësore të fillojnë të implementohen në disa institucione private të vendit, derisa jashtë shtetit do të vazhdojë trajtimi i pacientëve për ato shërbime që nuk ofrohen këtu.

”Udhëzimi administrativ tash rregullon trajtimet jashtë institucioneve publike. Kjo nënkupton institucionet private që të kontraktohen dhe të mbulohen shpenzimet nga Ministria e Shëndetësisë, njësoj siç janë mbuluar rastet e shërimit jashtë vendit, në qoftë se një trajtim kryhet edhe në Kosovë”,
sqaron Tolaj.

Sipas Tolajt, tashmë buxheti për programin e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, gati është shpenzuar. Shuma që kjo ministri posedon aktualisht është më pak se 400 mijë euro, derisa kërkesat janë jashtëzakonisht të mëdha dhe kanë arritur në rreth 1.5 milion euro.

Në anën tjetër, Shpend Fazliu, nga Qendra Klinike Universitare, thotë se në kuadër të klinikave ekzistojnë komisionet e veçanta që vlerësojnë se cilët pacientë duhet të trajtohen jashtë vendit.

“Rasti vlerësohet nga Komisioni për trajtim jashtë vendit nëse është për t’u trajtuar jashtë. Pas nënshkrimit që marrin nga specialistët, kërkesa dërgohet në Ministrinë e Shëndetësisë. Zakonisht shkojnë ato raste, për të cilat nuk ofrohen trajtime brenda QKUK-së
”, thotë Fazliu.

Ndryshe, Shqiptar Demaçi, kirurg torakal, thotë se një numër shumë i madh i pacientëve dëshirojnë të shkojnë kryesisht në vendet e rajonit.

Sipas Demaçit, më së shumti shkojnë pacientët onkologjikë, ata për radioterapi, trajtim ky i cili në Kosovë, edhe pse ekziston, nuk funksionon.

“Është shumë e sigurt që një numër shumë i madh i pacientëve trajtohen jashtë vendit. Zakonisht shkojnë pacientët onkologjikë, ata me problematikë të tumoreve malinje dhe radioterapi”
, tregon Demaçi.

Megjithatë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, çështja e trajtimit jashtë vendit do të diskutohet në Qeverinë e Kosovës, për t’u shqyrtuar mundësitë e buxhetit shtesë për këtë program, duke pasur parasysh rëndësinë e tij.

Lexoni edhe këto:A ka mungesë të listës esenciale të barnave?
Mjekimi jashtë Kosovës

XS
SM
MD
LG