Ndërlidhjet

Anëtarësimi i Kosovës në BERZH?


 Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Autoritetet kompetente kosovare kanë deklaruar se Kosova është në prag të anëtarësimit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Madje, sipas tyre, Kosovës tashmë i duhet vetëm edhe një votë për anëtarësim. Ndërsa, ekspertë të ekonomisë konsiderojnë se përfitimet ekonomike janë të shumta nga anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm.


Ekspertë për çështje ekonomike thonë se anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Autoritetet kompetente, tashmë kanë deklaruar se kanë bërë të gjitha përgatitjet për anëtarësim në këtë institucion dhe Qeveria pret vetëm ftesën nga kjo bankë për aplikim.

Eksperti për çështje ekonomike, Xhevat Meha, thotë se Kosovës i nevojitet anëtarësimi në një bankë të tillë.

Rëndësia e prezencës së kësaj banke në tregun kosovar, sipas Mehës, është se ky institucion ndihmon sektorin privat, rrjedhimisht kompanitë fillestare.

“Orientimi i kësaj banke është që të ndërhyjë në projektet, kryesisht private, por jo vetëm private, të ndërhyjë në ato projekte, të cilat kanë një shkallë të rrezikshmërisë pak më të lartë, apo një pasiguri më të madhe për investitorët tjerë.

“Nëse kjo bankë ka ekspertizë në njohurinë e zhvillimeve ekonomike në rajon dhe më gjerë, sepse është bankë zhvillimore dhe për Kosovën ka rëndësi për arsye se nuk kemi bankë zhvillimore, kemi banka komerciale”
, thotë Meha.

Edhe Skënder Berisha, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Pvrishtinës, konsideron se përfitimet ekonomike janë të shumta nga anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm.

“Përfitimet ekonomike janë mjaft të rëndësishme, sepse mund të shfrytëzojmë kredi nga kjo bankë, nuk janë kredi shumë të mëdha, kapitale, siç, për shembull, mund të marrim prej Bankës Botërore, ose prej Fondit Monetar Ndërkombëtar".


“Por, edhe kjo bankë ka një kapital mjaft të rëndësishëm që mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në zhvillimin e përgjithshëm për t’i plotësuar kushtet sa më shpejt për anëtarësim në Unionin Evropian”,
pohon Berisha.

Vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka deklaruar se Kosovës i duhet edhe një votë për t’u bërë anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Xhevdet Meha, pohon se anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm financiar, do t’i hapë rrugë edhe investitorëve ndërkombëtar, duke treguar, siç shprehet, se Kosova është vend i sigurt për investime.

“Kjo bankë është prezent me disa projekte, por anëtarësimi sigurisht që do ta rrisë kuotën, do ta rrisë aktivitetin e kësaj banke. Edhe kjo do të jetë në këtë fazë, derisa investitorët tjerë të jashtëm të shohin sigurinë se mund të investohet në Kosovë”.

“Kjo bankë do të prijë dhe do të krijojë kushte dhe me projektet e saj do të demonstrojë tek investitorët tjerë drejtpërdrejt që edhe ata të inkuadrohen në investimet në Kosovë”,
thekson Meha.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vazhdimisht ka ndihmuar projekte të ndryshme, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Pavarësisht faktit se Kosova nuk është anëtare e këtij institucioni, vite më parë, Misioni i Kombeve të Bashkuara ka arritur një marrëveshje me këtë bankë, për mbështetje financiare dhe hua për Kosovën.

XS
SM
MD
LG