Zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë është çelësi për zhbllokimin e integrimit të Maqedonisë, deklaroi ndihmësseskretari shtetëror amerikan për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Filip Gordon.
Gjatë vizitës të së enjtes, Gordon u takua me kryetarin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, me liderin e Lidhjes Socialdemokrate të opozitës, Branko Cërvenkovski, dhe me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim në pushtet, Ali Ahmeti.
Për shkak të problemeve me fluturimet e aeroplanëve në Evropë, kryeministri Nikolla Gruevski nuk arriti nga Maroku në Shkup në takimin e paralajmëruar me Gordonin, por diplomati amerikan tha se do të takohet me Gruevskin në Zagreb.
Filip Gordon deklaroi se çështja e emrit me Greqinë ka kohë që zgjat dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin tejkalimin e kontestit.
“Ne fuqimisht e mbështesim anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Të gjithë e dini se ne jemi mbështetësit e fuqishëm për zgjidhjen e problemit të emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë”.
“Mesazhi im është se pala maqedonase duhet të punojë në mënyrë konstruktive me Greqinë për të gjetur zgjidhje dhe kur të ndodhë kjo, SHBA-ja do të jetë mbështetës i fuqishëm i asaj marrëveshjeje”, deklaroi Gordon.
Pas takimit me Gordonin, kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov publikoi një komunikatë për shtyp. Në komunikatë thuhet se Ivanov theksoi se Maqedonia është e përgatitur për zgjidhje të pranueshme dhe të ndërsjellë, e cila do të ishte në kuadër të Deklaratës, Rezolutës së Kombeve të Bashkuara dhe të Drejtës Ndërkombëtare.
Pas takimit, kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të interesuara për integrimin e suksesshëm të vendit në NATO dhe në BE.
Por, Cërvenkovski u shpreh i bindur se çështja e emrit nuk mund të zgjidhet deri në qershor.
“Nga aspekti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, takimi i ardhshëm, i cili për këtë shtet ndoshta është edhe më i rëndësishmi, është samiti i NATO-s në Portugali në tetor, përkatësisht në fillim të nëntorit. Dhe, kjo është koha kur procesi duhet të përfundojë. Pra, ky proces duhet të fillojë këtyre ditëve”, tha Cërvenkovski.
Ndërsa, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përsëriti se duhet të arrihet zgjidhja e çështjes së emrit.
“Maqedonia tani ka nevojë që sa më parë të mbyllë tema të rëndësishme, siç është çështja e emrit të shtetit, si problem që kërkon zgjidhje për të na hapur rrugë drejt anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, në Bashkimin Evropian”, theksoi Ahmeti.
Praktika e deritashme tregoi se ndihmëssekretari i shtetit amerikan për çështje të Evropës dhe Euro-Azisë është figura kryesore për marrëdhëniet midis Shkupit dhe Uashingtonit.