Ndërlidhjet

Kush janë azilkërkuesit kosovarë?




Pavarësisht marrëveshjeve të arritura nga autoritetet kosovare me disa nga vendet e Bashkimit Evropian për riatdhesimin e kosovarëve me status të parregulluar në vendet përkatëse, migrimi i kosovarëve në vende të ndryshme të botës, nuk është në rënie, po ka tendencë të rritjes, thonë ekspertë për çështje të migrimit.

Ndryshe, sipas një raporti të Agjencisë Evropiane të Statistikave “Eurostat”, thuhet se në vitin 2009, rreth 14.200 banorë të Kosovës kanë kërkuar azil në njërin nga 27 vendet e Bashkimit e Evropian. Sipas këtij raporti, kërkesat e kosovarëve paraqesin pesë për qind nga 261.000 kërkesa të përgjithshme për azil nga e gjithë bota.

Megjithatë, zyrtarë qeveritarë pohojnë se çështja e lëvizjes se qytetarëve është e pamundur të kontrollohet, për shkak se personat të cilët janë të interesuar të lëshojnë Kosovën, këtë veprim e bëjnë edhe në mënyrë ilegale.

Për këtë Islam Caka, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e vë në dyshim shifrën e “Eurostat-it”.

S’ ka mundësi të jetë lëvizja e tillë e njerëzve 14.200 mijë, një kërkesë e tillë për një vit. Ne nuk na rezultojnë shifra të tilla. Duke ditur se shteti i Kosovës është duke bërë përpjekje maksimale për plotësimin e kushteve për liberalizim të vizave, atëherë mundësitë janë më të vogla për të fituar azil. Ne i pamë vendet e rajonit se çfarë është duke ndodhur”, tha Caka

Por, Zëvendësministri i Administratës Publike, Rifat Blaku, pohon se në këtë shifër përfshihen kryesisht, ish azil- kërkuesit e refuzuar dhe një numër i caktuar i përfaqësuesve të komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas.

Blaku, i cili njëherit është edhe ekspertë për çështje të migrimit, thotë se në këtë shifër nuk përfshihen qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Unë kujtoj se ky numër rreth 14 mijë duhet të jetë, një numër i azilkërkuesve që tashme janë të evidentuar dhe përcillen prej një zgjidhjeje në tjetrën, si dhe një numër i vogël i romëve, ashkalinjëve dhe egjiptasve të cilët ende hezitojnë për gjoja se nuk kanë kushte ekonomike, sociale, të banimit në Kosovë”, pohon Blaku.

Në anën tjetër, Islam Caka, deklaron se institucionet e Kosovës vazhdimisht po mundohen të krijojnë infrastrukturë të nevojshme për qytetarët, në mënyrë që këta të fundit të mos emigrojnë në vendet e ndryshme perëndimore.

Por, megjithatë, ai thekson se qytetarët e interesuar, Kosovën e lëshojnë në mënyrë ilegale, formë kjo që jo gjithmonë mund të kontrollohet nga autoritetet kompetente.

“Çështja e lëvizjes se qytetarëve vështirë se mund të kontrollohet në nivelin që ne dëshirojmë ti kontrollojmë. Fundi i fundit ne mundohemi ti kontrollojmë vijat kufitare ku aty janë të përkushtuar edhe policia edhe institucionet tjera të sigurisë".

"Ideja e lëvizjes se qytetarëve, ato janë mundësi për secilin individualisht, ashtu siç kemi raste që njoftohemi prej shteteve të ndryshme të BE-se, sikur rasti që ishte fatkeqësisht më Hungarinë, që na ndodhi
“, tha Caka

Sidoqoftë, krahas banorëve të Kosovës, në raportin e “Eurostatit”, bëhet e ditur se kërkuesit më të mëdhenj të azilit në Bashkimin Evropian, janë afganët, rusët, somalezët, irakianët, ndërsa vendet më të preferuara për këta persona janë Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Suedia dhe Belgjika.
XS
SM
MD
LG