Ndërlidhjet

Dilemat rreth financimit të autostradës


Me gjithë faktin se tashme ka filluar ndërtimi i autostradës, Vërmicë- Merdarë, financimi i saj, mbetet çështje diskutabile dhe e pasigurt, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Ndryshe, sipas zyrtarëve qeveritarë, ndërtimi i autostradës do të kushtojë 700 milionë euro, ndërkaq mjetet është thënë se do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, nga kreditë e jashtme, donacionet dhe nga shitja e ndërmarrjeve publike, siç është Korporata Energjetike e Kosovës dhe Post- Telekomi i Kosovës.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, pohon se idetë për financimin e autostradës janë të paqëndrueshme, dhe kjo paqëndrueshmëri, sipas tij, krijon paqartësi dhe vonesa në realizimin e projektit.

“Ta zëmë ideja e parë, për financimin e autostradës më paratë e buxhetit të Kosovës është e pamundshme, qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Financave është duke u përballur më kërkesa gjithnjë në rritje, të sektorit civil për rritje pagave dhe mëditje".

"Do të thotë buxheti i Kosovës, nuk ka mundësi që ti mbulojë shpenzimet administrative dhe kapitale të brendshme, dhe jo të mendoi që të ndajë mjete për financimin e autostradës”
, tha Gashi

Edhe Isa Mulaj, nga Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, pohon se financimi i projektit nuk është real, meqenëse përmban shumë të panjohura dhe pasiguri. Ai thotë se për ndërtimin e autostradës, buxheti i Kosovës, për këtë vit ka ndarë një shumë prej 50 milionë eurosh, gjë që, sipas tij, përfaqëson vetëm 7.1 për qind të fondit fillestar, që kërkohet për realizimin e projekti.

“Nëse këtë vit janë ndarë 50 milion euro, edhe dy vite tjera, mund të ndahen edhe nga 50 milion euro tw tjera, që do të thotë 150 milion euro në tërësi. Atëherë, pyetja lind se nga do të vijnë edhe 550 milion euro të tjera”
, shprehet Mulaj.

Si mundësi tjetër për financimin e autostradës, përmenden donacionet. Por, Naim Gashi, pohon se asnjë nga donatorët kryesorë të Kosovës, në Konferencën e Donatorëve, nuk e kanë pohuar as më të voglën mundësi për të dhënë donacione.

“Në konferencën e donatorëve në Bruksel, vitin e kaluar, asnjë nga donatorët, as Shtete e Bashkuara, as Komisioni Evropian dhe as vendet mike të Kosovë nuk kanë shprehur gatishmëri për financimin e autostradës Morinë- Merdarë".

"Ka pas disa sinjale që mund të gjenden mjetet për financimin e autostradës Prishtinë- Shkup, mirëpo Vërmicë- Merdarë, absolutisht asnjë donatorë ndërkombëtar deri më sot nuk ka shprehur gatishmëri, do të thotë ky konstatim është i paqëndrueshëm”
tha Gashi

Ndryshe, ekspertët pohojnë se edhe ideja për marrjen e kredive të buta nga institucionet financiare është e vështirë dhe mund të realizohet vetëm pjesërisht.

Marrja eventuale e kredive, sipas tyre do të rrisë koston e autostradës.

Sidoqoftë, përgjegjëse për ndërtimin e autostradës është kompania amerikano-turke, “Bechtel& Enka”, ndërsa përfundimi I saj pritet të ndodh gjatë tre vjetëve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG