Ndërlidhjet

A do të rritet kostoja e autostradës?


Autostrada Vërmicë-Merdare nuk do të përfundojë me 700 milionë euro, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, kostoja e projektit do ta kalojë shumën mbi një miliard euro. Ekspertët thonë se kompania e përzgjedhur për ndërtimin e autostradës “Bechtel & Enka”, ka ndërtuar edhe autostradën Durrës-Kukës, për të cilën kostoja e ndërtimit ishte dyfishuar nga ajo e planifikuar fillimisht.



Shuma prej 700 milionë eurosh, e cila është planifikuar të shpenzohet për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare, sipas njohëseve të çështjeve ekonomike në Kosovë, nuk do të jetë e mjaftueshme për ta realizuar projektin në tërësi.

Ibrahim Rexhepi dyshon në këtë shifër, për shkak të mosdhënies së detajeve edhe pas fillimit të procesit për ndërtimin e autostradës.

“Pse më krijon dyshim kjo shifër, është fakti se Qeveria, përkatësisht porositësi i punëve, ende nuk e ka të saktë se kah do të shtrihet autostrada, ende nuk dihet sa kilometra, çfarë terreni, sa ura, sa tunele, sa nënkalime, mbikalime, sa shpronësime do të bëhen... Pra, nuk mund të flitet për çmimin përfundimtar që do ta ketë autostrada“,
thotë Rexhepi.

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Naim Gashi, shpreh qëndrim të ngjashëm. Sipas tij, nuk është e mjaftueshme shuma prej 700 milionë eurosh dhe në të njëjtën kohë, shton ai, mungon transparenca e Qeverisë së Kosovës sa i përket financimit të projektit.

“Vlera prej 700 milionë eurosh nuk është shumë as e përafërt, pavarësisht se a do të shkojë autostrada nëpër Qafë të Duhlës apo nëpër Malishevë. Kemi shembullin konkret: ‘Bechtel & Enka’ ka nënshkruar kontratë me Qeverinë shqiptare për ndërtimin e tunelit të Kalimashit dhe 60 kilometra autostradë para dhe pas tunelit; vlera e kontratës ka qenë 430 milionë euro, ndërsa deri sot shifra është ngritur vetëm për tunelin dhe segmentin në 930 milionë euro”,
thekson Gashi.

Ndryshe, sipas Qeverisë së Kosovës, vlera për kilometër e autostradës do të jetë prej 7.5 deri në 8 milionë euro, e që gjithsejtë do ta kapë shumën prej 700 milionë eurosh. Por, Naim Gashi vlerëson se i tërë ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdare do të kushtojë mbi një miliard euro.

“Duke marrë parasysh të gjitha punimet që i ka kryer ‘Bechtel & Enka’, në Mal të Zi, në Shqipëri dhe në Kroaci e vende të tjera, kostoja e ndërtimit të autostradës është shumë më e lartë. Mirëpo, sa i përket kontraktimit të autostradës, Qeveria kosovare ka qenë e hendikepuar, për arsye se në konton e Qeverisë janë vetëm 50 milionë euro për autostradë dhe kur nuk i ke paratë kesh në dorë, atëherë edhe kontrata është e disfavorshme”, shprehet Gashi.

Edhe Ibrahim Rexhepi thotë se vetë mënyra e punës, sipas tij, projekto-ndërto, mund të sjellë ndryshime të mëdha të çmimit.

“Mënyra e punës është projekto-ndërto, që do thotë se puna bëhet hap pas hapi dhe mund të sjellë situata të paparashikueshme, mund të sjellë ndryshime të mëdha edhe në terren apo edhe të çmimeve, gjë që shumë qartë është vërejtur edhe në Shqipëri, ku autostrada fillon me 430 milionë euro, ndërsa përfundon gati me tri herë më shumë”
, thotë Rexhepi.

Sidoqoftë, dje edhe zyrtarisht ka filluar ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdare, për ndërtimin e së cilës do të jetë përgjegjës konzorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG