Ndërlidhjet

Emri nuk zgjidhet deri në qershor


Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe homologu i tij grek, Jorgos Papandreu (Foto arkiv)
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe homologu i tij grek, Jorgos Papandreu (Foto arkiv)

Analistët në Shkup vlerësojnë se gjasat janë minimale për t’u arritur kompromis për emrin me Greqinë deri në fund të qershorit, deri kur me BE-në do të kryesojë Spanja. Ndërkohë, pala greke ka paralajmëruar se emri Maqedonia veriore është kompromis i pranueshëm për të, por pala maqedonase nuk është deklaruar pozitivisht për këtë propozim.



Ende nuk është konkretizuar data e takimeve mes negociatorëve të palës maqedonase dhe asaj greke, të cilat, para disa javëve, nga zyra e ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, u paralajmëruan për në fund të këtij muaji.

Nga vizita në Maqedoni e ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës, si vend që kryeson me Bashkimin Evropian, është e qartë se BE-ja mbetet në qëndrimin se caktimi i datës për fillimin e negociatave për Maqedoninë, do të ndodhë gjatë presidencës spanjolle, deri kur pritet edhe zgjidhja e çështjes së emrit.

Qëndrimi zyrtar i autoriteteve të Maqedonisë, pas disa paralajmërimeve të palës greke se emri Maqedonia veriore është i pranueshëm, është se kompromis mund të arrihet vetëm nëse zgjidhja është e pranueshme për të dyja palët.

Analisti politik, Qashif Bakiu, thotë se gjasat për arritjen e kompromisit për çështjen e emrit deri në fund të qershorit, janë minimale.

“Shanset janë shumë të vogla që ky problem të zgjidhet deri në qershor, por nëse do të kishte ndonjë përparim lidhur me integrimin e vendit në NATO dhe në BE, do të ishte vullnet i mirë nga forcat e mëdha për ta integruar vendin, sepse, thënë realisht, gjasat janë shumë të vogla që pushteti aktual ta pranojë njërën nga zgjidhjet që janë përfolur dhe ofruar nga ndërmjetësi Nimic”, deklaroi Bakiu.

Ndërkohë, profesori universitar, Dimitar Mirçev, tha se çdo kompromis do të prodhojë pakënaqësi te të dyja palët.

“Çdo lëshim pe nga emri kushtetues, nuk është i mirë, por është i keq, por jemi të vetëdijshëm se patjetër duhet të arrihet te ndonjë kompromis”, tha Mirçev.

Ndërsa autoritetet maqedonase akuzojnë Greqinë se po i shmanget zgjidhjes, autoritetet e Maqedonisë akuzohen nga pala greke se Shkupi, duke i hapur çështjet e identitetit, dëshiron t’u shmanget bisedimeve, edhe pse Shkupi zyrtar, kohëve të fundit, ka kërkuar bisedime të drejtpërdrejta dhe diskrete me palën greke.

Takimi i fundit midis kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe atij grek, Jorgos Papandreu, u mbajt më 26 mars, ndërsa deri në afatin e qershorit kanë mbetur edhe më pak se dy muaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG