Ndërlidhjet

Kosovë: Farmacitë pa farmacistë


Shpallje në një të përditshme kosovare...
Shpallje në një të përditshme kosovare...
Farmacistët në Kosovë kanë mundësi ta shesin diplomën e tyre, sipas marrëveshjes, tek ato barnatore, të cilat kanë nevojë për licencim.

Një gjë të këtillë e pohon Lumturie Syla, teknike e farmacisë, e cila thotë se në barnatoren ku punon ajo, tash e 20 vjet, disa herë është huazuar diploma, derisa farmacisti asnjëherë nuk ka qenë prezent.

Në bazë të ligjit në fuqi, një barnatore duhet të ketë të punësuar një farmacist, për të pasur licencë pune.

“Është e vërtetë që shumë barnatore janë hapur me diploma të tjetërkujt, derisa farmacisti nuk ka qenë prezent. Ka barnatore ku nuk është prezent farmacisti, por vetëm diploma”
, thotë Syla.

Sipas saj, farmacistët e shesin diplomën sipas marrëveshjes dhe çmimi sillet nga 700 deri në 1000 euro në muaj.

Haki Ejupi, kryeshef i Inspektoratit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se asnjë veprimtari nuk mund të licencohet pa kuadër profesional.

“Nuk përjashtohet mundësia se disa farmaci mbulohen me diplomë, derisa prezenca e tyre (farmacistëve) nuk është çdoherë në vendin e punës. Inspektorët i kanë identifikuar ato ku farmacisti nuk është prezent dhe janë marrë masa ligjore
”, thotë Ejupi.

Sipas tij, Departamenti i Inspektoratit Farmaceutik ka bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës për t’i hetuar rastet e tilla.

“Inspektorati Farmaceutik, në bashkëpunim me policinë, ka hetuar raste mbi kontrabandimin e barnave dhe kemi hasur në ato ku farmacisti nuk ka qenë aty”, thotë Ejupi.

Ai pohon se gjatë inspektimit është shënuar një rast në një depo farmaceutike, e cila ka kontrabanduar barna, ndërkohë që depoja ishte licencuar në bazë të një diplome të një farmacisti, i cili asnjëherë nuk kishte qenë në vendin e punës.

“Ne e luftojmë këtë dukuri dhe të gjithë farmacistët janë të lajmëruar se, në rast të mosprezencës së personit përgjegjës, merren masa ndëshkuese dhe shqiptohen gjoba drastike”, thekson Ejupi.

Në anën tjetër, Ilir Tolaj, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, flet për pasojat e kësaj dukurie. Sipas tij, domosdo është e rëndësishme që në çdo barnatore të punojë stafi që është i arsimuar për këtë lëmi.

Por, realiteti është ndryshe, sepse numri i barnatoreve të hapura në vend është më i madh se numri i farmacistëve.

“Numri i farmacistëve, me gjasë, është më i vogël se numri i barnatoreve të hapura në vend. Kjo, në një mënyrë, është në kundërshtim me ligjin, i cili ekziston, por është në kundërshtim edhe me etikën e profesionistëve që merren me shëndetin e popullatës në përgjithësi”, shprehet Tolaj.

Sipas tij, qëllimi i secilës shoqëri është të sigurojë shërbime sa më profesionale dhe një person, i cili nuk ka kualifikimin adekuat për lëmin e caktuar, nuk mund të ofrojë shërbime farmaceutike.

“Këto barnatore fatkeqësisht janë në cilësinë e shitësit të produkteve, e jo në cilësinë çfarë duhet ta kenë, ku, përpos dhënies së barnave, duhet të jepen edhe këshilla, vërejtje për efektet eventuale negative që mund t’i kenë barnat”, thotë Tolaj.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve institucionalë, nga viti 1999 deri më 2003, ka pasur invazion nga farmacistë të rajonit, të cilëve u është marrë diploma për të mundësuar licencimin e barnatoreve.

Por, ndërkohë, numri i farmacistëve është rritur dhe kërkesa e tregut për farmacistë është zvogëluar, nisur nga fakti se numri i barnatoreve, sipas autoriteteve, është jashtëzakonisht i madh.
XS
SM
MD
LG