Ndërlidhjet

Pacientët në koma, të harruarit e institucioneve



Në Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht në repartin e anesteziologjisë, për mjekim post-intensiv gjenden nëntë pacientë me koma vigjile.

Në mungesë të qendrave rehabilituese, këta pacientë qëndrojnë në këtë klinikë, edhe pse nuk e kanë vendin aty, thotë Nehat Baftiu, shef në klinikën e anesteziologjisë.

“Pacientët me koma vigjile kanë mbetur në repartin anesteziologjisë që nga viti 1999. Realisht, këta pacientë duhet të trajtohen në qendra rehabilituese, sepse vendin e kemi shumë të kufizuar. Me këtë problematikë nuk është marrë as Ministria e Shëndetësisë, e as qendrat tjera që janë të thirrura për këtë problem”
, thotë Baftiu.

Baftiu shton se në këtë repart ka pacientë në gjendje kome që janë të shtrirë qe shtatë vjet. Meqë familjarët nuk kanë ku t’i dërgojnë, qëndrojnë në klinikën e anesteziologjisë dhe, sipas Baftiut, ekipi kujdeset intensivisht për ta.

“Meqë familjarët nuk kanë ku t’i çojnë, ne nuk mund t’i hedhim në rrugë pacientët tanë dhe i mbajmë derisa të zgjohen ose vdesin këtu në klinikë”,
shpjegon Baftiu.

Njëri ndër pacientët është edhe Kreshnik Morina, 13-vjeçar, i cili tash e shtatë vjet qëndron i shtrirë në këtë klinikë. Fatmire Selmani, infermiere, thotë se ai është në gjendje shumë të rëndë kome.

“Njëri prej pacientëve është edhe Kreshnik Morina, i cili ka pësuar në aksident komunikacioni. Qe shtatë vjet është në klinikën e anesteziologjisë, në mjekim post-intensiv. Gjendja e tij është e rëndë”,
tregon infermierja Fatmire Selmani.

Edhe një tjetër pacient në gjendje kome tash e tre muaj është i shtrirë në këtë repart. Pacienti ka punuar në burgun e Dubravës. Vëllai i tij, që i qëndronte pranë, ankohej se nuk i është ofruar asnjë ndihmë nga institucionet , edhe pse aksidenti nga i cili ka pësuar, ka ndodhur në orar të punës.

“Nuk mund t’i mbulojmë shpenzimet, ky është punëtor i burgut të Dubravës dhe deri tash asnjë ndihmë nuk kemi marrë nga institucionet, e në çfarë gjendje ka mbetur. Kjo ndodhë vetëm në Kosovë”,
shprehet ai.

Por, Faik Hoti, zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se në vendet me mundësi të mira financimi, pacientët e tillë i mbajnë në qendra rehabilitimi, ndërsa Kosova nuk e ka këtë mundësi.

Hoti shton se sa i përket mbulimit të shpenzimeve për këta pacientë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndonjë projekt që do të mund t’i mbulonte ato, pa hyrjen në fuqi të Ligjit të punës dhe atij të sigurimeve shëndetësore.

“Në QKUK janë më pak se 10 raste. Me hyrjen në fuqi të disa ligjeve, si ai i punës dhe i sigurimeve shëndetësore, shpresoj që statusi i pacientëve në gjendje kome do të rregullohet dhe do të mbulohen shpenzimet e tyre, sepse tash për tash, ministria nuk ka ndonjë projekt që do të mund t’i mbulonte shpenzimet e këtyre pacientëve”
, shpjegon Hoti.

Sidoqoftë, e vetmja gjë, që, të paktën, këtyre pacientëve nuk u mungon, janë barnat. Udhëheqësit e Qendrës Klinike thonë se gjendja në këtë drejtim është përmirësuar, në krahasim me vitin e kaluar, kur me furnizim barnash janë ngarkuar familjarët e pacientëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG