Ndërlidhjet

Kosova nuk i shfrytëzon resurset natyrore


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Resurset natyrore në Kosovë mbesin të pashfrytëzuara, vlerësojnë ekspertë të këtyre çështjeve, si dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Mosshfrytëzimi i këtyre resurseve, sipas tyre, ka bërë që Kosova të mbetet e pazhvilluar ekonomikisht.


Si pasojë e mungesës së një strategjie për menaxhimin e resurseve natyrore, Kosova edhe pse e pasur me këto resurse natyrore, deri më tani ka pasur përfitime shumë të vogla, vlerësojnë ekspertë të këtyre çështjeve.

Sipas tyre, shfrytëzimi i mirë i këtyre resurseve do të sillte përfitime të mira për ekonominë e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe uljen e deficitit tregtar dhe rritjen e mirëqenies për qytetarët.

Eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thekson se Kosova nga resurset natyrore shfrytëzon vetëm qymyrin dhe zhavorrin, ndërkohë që resurset tjera natyrore, sipas tij, mbesin të pashfrytëzuara.

“Sa i përket metaleve të xehes së plumbit, zinkut dhe metaleve të tjera që ka Kosova, ato janë të barabarta me zero, ato nuk shfrytëzohen”.

“Trepça nuk është në funksion, ajo nuk ka licencë për eksploatimin e xehes, për mirëmbajtje dhe pastrim të minierave, kështu që ato rezerva mbesin të paprekura”
, vlerëson Rexhepi.

Rexhepi shton se shfrytëzimi i resurseve natyrore në Kosovë do të ndihmonte në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion në Kuvendin e Kosovës, Myzejene Selmanaj, thotë se Kosova duhet të ndërtojë politika zhvillimore dhe legjislacion adekuat në këtë fushë.

“Kosova nuk i ka shfrytëzuar resurset natyrore që i ka. Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë strategji për menaxhimin e këtyre resurseve natyrore, kur dihet se Kosova ka linjit, ka zink, ka plumb”.

“Këto pasuri pushojnë në tokën e Kosovës. Qeveria nuk ndërmerr hapa për futjen e investimeve të huaja këtu, pasi që mundësitë e veta i ka shumë të vogla të investojë në këtë dikaster”
, thotë Selmanaj.

Ndërkaq, sipas ekspertit të resurseve natyrore, Shyqri Kelmendi, vetëm miniera e Trepçës me riaktivizimin e saj do të mund të arrinte të hyra prej 120 - 250 milionë euro, varësisht nga shkalla e përpunimit të xeheve.

“Shtrohet pyetja se a ka hequr dorë bota nga shfrytëzimi i resurseve natyrore? Përgjigja është jo. Po ne, në Kosovë, a kemi hequr dorë nga shfrytëzimi i këtyre resurseve? Në çështjet aktuale që janë, thuajse kemi hequr dorë”
, shprehet Kelmendi.

Sipas tij, Kosova, me resurset e saj të metaleve, nuk është fuqi e madhe në nivel botëror, por shfrytëzimi i duhur i këtyre resurseve do të sillte një përmirësim të ndjeshëm të ekonomisë kosovare dhe në nivel rajonal do ta ngrinte atë në radhën e vendeve me potencial më të madh në këtë fushë.

Ndërkaq, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, thekson se shfrytëzimi i resurseve natyrore Kosovës do të mund të ndihmonte edhe në uljen e deficitit tregtar dhe në zhvillimin ekonomik.

Sipas tij, një fushë ku Kosova do të mund të ishte konkurrente, është edhe shfrytëzimi i resurseve natyrore, sidomos i linjitit dhe i mineraleve.

“Shfrytëzimi i këtyre resurseve natyrore është mjaft produktiv, për shkak se ka shpenzime më të vogla të operimit në këtë lëmi. Njerëzit që kanë punuar në sektorin e minierave dhe në komplekset industriale, siç është Trepça e Ferronikeli, dihet se kanë qenë një potencial i madh i eksportit”,
thekson Hamza.
XS
SM
MD
LG