Mosdefinmi i saktë i burimeve të financimit për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare, mossaktësimi i trasesë, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, janë vetëm disa elemente që e bëjnë marrëveshjen me kompaninë amerikano-turke, “Bechtel& Enka”, të jetë një kontratë joserioze.
Analisti për çështje ekonomike nga Instituti “Riinvest”, Muhamet Sadiku, thotë se nëse flitet për një përfundim të kontratës, atëherë ajo, sipas tij, do të duhej të ofronte më shumë shënime.
“Në kontratë do të duhej të qartësohej kostoja e kësaj rruge. Kostoja parciale nuk do të ishte zgjidhja e duhur. Pastaj, duhet të dihet traseja e rrugës së re dhe jo të punohet në dy drejtime - në qartësimin e trasesë në një pjesë të rrugës, ndërsa pjesa tjetër e trasesë të mbetet për t’u diskutuar dhe më vonë për t’u qartësuar. Të gjitha këto ndryshime do të kenë implikime financiare”, thotë Sadiku.
Në buxhetin e Kosovës, janë 50 milionë euro të parapara për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Besi, e më vonë deri në Merdare. Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës pati thënë se dy segmentet e para nga Vërmica deri në Qafë të Duhlës do të ndërtohen me para të buxhetit.
Një kilometër do të kushtojë rreth 7 milionë euro, megjithatë nuk dihet kostoja përfundimtare e këtij projekti, pasi që nuk është hartuar projekti për segmentin ku parashihet të bëhet devijimi i trasesë.
Lidhur me këtë, eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, shprehet:
“Ne mund t’i bëjmë përgatitjet e duhura që projektin ta finalizojmë, por implementimi i projektit është shumë i rëndësishëm, duke përfshirë edhe dinamikën e ndërtimit të kësaj traseje. Në kuptimin e burimeve të financimit është shumë e rëndësishme se nga do të orientohet Qeveria e Kosovës për t’i siguruar këto mjete”.
Eksperti tjetër për çështje ekonomike, Dritan Tali, vlerëson se nuk është arritur një marrëveshje, e cila do të ishte e kënaqshme. Ai thotë se për këtë projekt është dashur të ketë edhe më shumë diskutime.
“Është dashur edhe më tej të diskutohet lidhur me atë se a ka pasur alternativa të tjera, si zgjerimi i një segmenti, ashtu siç ka bërë dhe Mali i Zi . Pra, në ato fytet e ngushta të kësaj arterieje të zgjerohen edhe me një trakë për ta zgjidhur problemin për një kohë, derisa Kosova të forcohet ekonomikisht”, thotë Tali.
Në anën tjetër, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, marrëveshjen e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Bechtel&Enka” e konsideron si një hap të rëndësishëm për Kosovën, e sidomos për zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, sa i përket financimit, edhe Shahini sheh një çështje problematike, e cila do të duhej të konkretizohej me kontratë.
“Kosova e ka një buxhet të limituar dhe forma më e mirë është që të investohet aq sa kemi para. Këtu duhet të futet edhe biznesi privat, që ky projekt të shkojë drejt finalizimit sa më shpjet, por edhe të jepen me koncesion ato segmente, të cilat Kosova nuk ka mundësi t’i mbulojë me mjetet e veta buxhetore”, thotë Shahini.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në fund të javës së kaluar, arriti marrëveshjen me kompaninë “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës.