Në pjesën më të madhe pozitat midis dy palëve në kontestin rreth emrit, mbeten të njëjta. Këtë e konfirmoi ministri i jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, pas takimit të së enjtes ndërmjet kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, dhe atij grek, Jorgos Papandreu, në Bruksel.
Sipas Milloshoskit, përparimi i vetëm mund të vërehet në përkushtimin e të dy palëve se kjo çështje duhet të tejkalohet sa më shpejt.
“Ne, si Qeveri e Maqedonisë, mund të bëjmë krahasime midis ish-strukturës udhëheqëse greke dhe asaj aktuale. Te homologët tanë mund të shohim gatishmëri më të madhe për takime, për shtrëngim duarsh dhe për fotografime. Por, për fat të keq, nuk e kemi ndjerë momentin se ekziston vullnet pragmatik për tejkalimin e kësaj çështjeje”, tha Milloshoski.
Për partitë politike në vend, takimi midis Gruevskit dhe Papandreut, tregoi se në këtë moment është e domosdoshme të ketë qëndrim të qartë nga ana e subjekteve politike të vendit, veçanërisht për shkak të paralajmërimit për raundin e ri të bisedimeve mes dy palëve, që, sipas ndërmjetësit Metju Nimic, pritet të mbahet gjatë muajit të ardhshëm.
Kryetari i Grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Tahir Hani, u shpreh:
“Domosdoshmëria është për të gjetur një zgjidhje për çështjen e emrit dhe Maqedonia të debllokohet në proceset e integrimit në NATO dhe në BE. Kjo është një domosdoshmëri që ne duhet ta kemi një fokusim tepër të madh dhe t'i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për të arritur zgjidhje”, tha Hani.
Sipas Lidhjes Socialdemokrate të opozitës, Qeveria duhet të ketë ndonjë propozim konkret, për të cilin do të kërkojë mbështetje nga subjektet tjera politike.
Por, nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se edhe pas takimit të tretë të drejtpërdrejtë Gruevski-Papandreu, një propozim i tillë nuk ekziston.
”Zakonisht, Qeveria për shumë çështje e merr mendimin e opinionit, por si duket nuk ka kurrfarë qëndrimi rreth kësaj çështjeje", u shpreh Zoran Zaev, nënkryetar i LSDM_së.
Edhe zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arianit Hoxha, pohon se nevojitet qëndrim konkret dhe takim i liderëve, në të cilin partitë do të dinin pozicionin e Maqedonisë për këtë çështje.
”Duhet të thirret një takim i liderëve dhe të bëhet unifikimi i qëndrimeve, të ketë një qëndrim shtetëror për atë se cili është, në fakt, pozicioni i Maqedonisë në këtë proces”.
“Dhe, nga ajo, që të gjithë ta dimë se deri ku është vija e kuqe, apo deri ku mund të bisedohet, sepse, të jemi të sinqertë dhe realë, për momentin nuk e dimë se a bisedohet vetëm për emrin apo edhe për identitetin”, tha Hoxha.
Kryeministri Gruevski para takimit me Papandreun tha që po rritet presioni për të gjetur zgjidhje rreth mosmarrëveshjeve. Në takimet që pati me liderët evropianë, theksoi se ai është i gatshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.