Ndërlidhjet

As prokurorët nuk zhbllokojnë krizën


Tiranë
Tiranë

Mazhoranca akuzon opozitën për mungesën e një zgjidhjeje për krizën politike. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi, thotë se opozita refuzoi dhe propozimin më të fundit të kryeministrit, siç ishte hetimi nga 100 prokurorë i zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, dhe kjo si mungesë e vullnetit për zgjidhje.

“Prokurorët do të funksionojnë brenda kuadrit ligjor shqiptar, që është një kuadër që u jep mundësi prokurorëve të kryejnë hetime për çështje, të cilat komisioni hetimor nuk mund t’i kryejë. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore thuhet shumë qartë, e zeza mbi të bardhë, që komisionet hetimore nuk mund t’i marrin atributet e organeve të tjera të drejtësisë”.

“Nuk mund ta hetojnë dyshimin, prokuroria mund ta hetojë dyshimin. Nuk mund t’i hetojnë akuzat, duhet të hetojnë fakte dhe indicie që ekzistojnë tashmë. Kurse, prokuroria mund të nisë edhe mbi dyshim të arsyeshëm. Prokurorët kanë gjithë mundësinë, kryesisht edhe në bazë të materialeve që do t’i dorëzojë Partia Socialiste dhe çdo forcë tjetër politike, dhe mund të nisin hetimin e çdo kutie votimi”,
thotë Bumçi.

Socialistët e cilësojnë këtë propozim të ri të mazhorancës provokim, sikurse vendimin për të ngritur komisionin hetimor parlamentar pa vota të socialistëve. Deputeti Blendi Klosi thotë se mazhornaca përdori forcën e kartonit në një kohë kur Partia Socialiste vendosi të tërhiqet nga iniciativa e saj për komision hetimor, në kushte të mungesës së vullnetit për hapje të kutive.

“Nuk është një ofertë e sinqertë, si të gjitha ofertat që kanë ardhur nga Sali Berisha, pasi që ajo që ne do të kërkonim që në fillim dhe kemi vazhduar të kërkojmë, është transparenca e plotë e zgjedhjeve, e bërë përmes një komisioni hetimor parlamentar, i cili, pasi të ketë mundësinë të hapë kutitë dhe të hetojë gjithë procesin zgjedhor, të ketë po ashtu mundësi që t’i reflektojë gabimet dhe problematikën e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndryshimet e kodit elektoral dhe përgatitjen e një palë zgjedhjeve të reja, më të mira në Shqipëri”.

“Edhe votimi i fundit parlamentar ishte një votim abuziv, i cili nuk i lejon opozitës shqiptare mundësinë për transparencë”
, thotë Klosi.

Bumçi deklaron të kundërtën kur thotë se ngritja e komisionit dëshmon vullnetin e mazhorancës për hetim të zgjedhjeve brenda hapësirës kushtetuese. Tërheqja e Partisë Socialiste nga nisma për komision hetimor, sipas Bumçit, i bën shkelje të plotë rregullores së Kuvendit.

“Partia Socialiste nuk e tërhoqi nismën siç e parashikon rregullorja. Pra, deputetë, të cilët janë firmëtarë të kësaj nisme, janë vetëm ata që mund ta tërheqin nismën dhe jo një kryetar grupi parlamentar, të cilin Kushtetuta nuk e njeh”.

“Për sa kohë Partia Socialiste, as me shkrim dhe as me gojë nuk e tërhoqi nismën, nisma ishte në seancë me të drejtën e saj të plotë. Ne votuam për të treguar që ne jemi pro hetimit dhe nuk mendoj se kjo e rëndon situatën - kjo e qartëson situatën. Ne nuk mund të hetojmë pa Partinë Socialiste, kjo është shumë e qartë”
, thotë Bumçi.

Të shtunën, opozita miraton një kalendar protestash në të gjithë vendin – një fakt që deputeti demokrat, Bumçi, e lidh me skenarë që, sipas tij, kërkojnë t’i pengojnë proceset integruese për vendin.

“Kthimi në protesta tregon shumë qartë që zoti Rama do ta mbajë një situatë të rënduar politike për dy arsye: e para (arsye) janë zgjedhjet lokale të ardhshme - siç duket qartë, ai nuk do të ballafaqohet. Matematika zgjedhore elektorale është e thjeshtë – koalicioni PD-LSI, numrat janë të tillë që ai e ka të vështirë të përballet, prandaj fillojnë protestat. Me anë të protestave, ai do të dëmtojë ëndrrën evropiane të qytetarëve shqiptarë”, shprehet Bumçi.

Por, deputeti socialist, Blendi Klosi, thotë se protestat janë e vetmja rrugë për të realizuar objektivin për transparencë të plotë të zgjedhjeve, duke përfshirë dhe hapjen e kutive.

“Shumica e Parlamentit Evropian dhe, si rrjedhim, edhe shumica e Evropës tani i kërkojnë Sali Berishës t’i hapë kutitë. Prandaj, ne do të jemi në protestë. Kjo protestë nuk shkon kundër integrimit të vendit. Kjo shkon në përshpejtimin e hapave dhe të demokracisë në vend, pasi integrimi euroatlantik do të thotë plotësimi i standardeve. Për çfarë standardi evropian bëhet fjalë? Bëhet fjalë për transparencë? Jo, jo, pasi Sali Berisha është kundër transparencës së zgjedhjeve. Bëhet fjalë për kompromis? Jo, jo, pasi Sali Berisha është kundër kompromisit me shumicën e qytetarëve shqiptarë”.

“Është pak e lidhur me zgjedhjet lokale apo me cilatdo zgjedhje në Shqipëri. Siç e kemi thënë edhe herë të tjera, kjo më nuk është një betejë politike, ku forcat politike kërkojnë të marrin pushtetin, në rastin konkret Partia Socialiste kërkon të rimarrë pushtetin, duke rrëzuar Partinë Demokratike, një grup ministrash të zëvendësojë një grup tjetër vetëm nëpërmjet krizës politike. Por, padyshim, kjo është një kaos, ky është një mision, nga i cili ne nuk mund të tërhiqemi”,
thekson Klosi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG