Në periferinë juglindore të qytezës së Vitisë, një rrugë gjarpërore shpie në fshatin Debëllde, i cili ndan shtetin e Kosovës me atë të Maqedonisë. Në hyrje të fshatit vërehen disa shtëpi dhe aty-këtu ndonjë bari.
Problemi, me të cilin janë përballur, me vite të tëra, banorët e këtij fshati, ishte mosdefinimi i vijave kufitare.
Marrëveshjet e ndryshme që janë arritur deri më tash, asnjëherë nuk kanë qenë në të mirë të banorëve, thonë debëlldeasit. Ata ende vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen e fundit që përcakton vijën kufitare, të nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, përmes së cilës marrëveshje 22 hektarë tokë, pronë e banorëve kosovarë, i takojnë territorit maqedonas.
Arif Ilazi është njëri nga banorët e fshatit, të cilit, siç thotë vetë ai, i ka mbetur një pjesë e pronës në territorin e Maqedonisë. Derisa shikonte nga tokat e tij, që tani, siç tha ai, ka frikë t’i vizitojë, Arifi u shpreh:
“Nuk jam i kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës. Neve nuk na duhen të hollat, na duhen tokat e baballarëve. Qe 50 vjet e më tepër, ajo tokë është e jona. Krejt fshati Debëllde është i Kosovës”.
Pavarësisht faktit se vija kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë është definuar, Arifi ende kërkon nga Qeveria e Kosovës që t’ia kthehet toka atij dhe banorëve të tjerë të fshatit.
Ai shtoi se për nëntë vjet me radhë nuk ka pasur mundësi që ta punojë tokën e tij dhe për pasojë, kushtet ekonomike të familjes së tij ishin rënduar. Arifi po ashtu tha se, meqë toka ka mbetur djerrinë për disa vite, ajo e ka humbur pjellshmërinë në masë të madhe.
“E ka prishur Maqedonia. Ka çelur udhë, gjithçka ka bërë. Nuk ke se si e punon atë. Ne atë tokë e kemi kositur për lopë, e kemi bërë sanë. Por, tash, aty nuk mund të kositet, qe 10 vjet nuk e kemi punuar fare. Nuk kemi guxuar të dalim andej, çdoherë kanë qenë aty maqedonasit”, u shpreh Arifi.
Të njëjtin fat me Arifin e ndan edhe bashkëfshatari i tij Sadri Syla. Ai tha se toka e tij nuk ka mbetur në territorin maqedonas, por se mospunimi i këtyre tokave për këto nëntë vitet e fundit, familjes së tij ia ka vështirësuar mbijetesën.
“Ne këtu jemi marrë me bujqësi gjithmonë. Që nga marrja e tokave, gjendja ekonomike e banorëve të fshatit është rënduar”, tha Syla.
Fshati Debëllde, sipas banorëve të tij, ekzistencën e ka siguruar nga punimi i tokave dhe pamundësia për t’i punuar ato gjatë nëntë vjetëve të fundit, ka qenë shkak që banorët të kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër.
Disa nga banorët tashmë janë shpërngulur fshati. Ata që kanë mbetur aty, thanë se nuk do të heqin dorë nga përpjekjet që t’i ndalojnë shpërnguljet dhe kanë kërkuar nga Qeveria që t’i ndihmojë banorët fshatit.
Kryetari i fshatit, Zymri Ilazi, tha se nga 40 familje sa ka ky fshat, vetëm tetë prej tyre nuk kanë blerë tokë apo shtëpi në qytezën e Vitisë.
“Pritet shumë shpejt shpërngulje shumë e madhe. Këtu njerëzit mund të mbesin vetëm nëse e ndihmon komuna e Vitisë blegtorinë dhe bujqësinë. Fshati është i bukur, ka mundësi të jetohet, është shkolla, rruga, ka perspektivë”, shpjegon Ilazi.
Edhe për të riun Ibrahim Beqiri shpërngulja nga fshati është i vetmi shpëtim. Ai tha se nga vendlindja e tij nuk ka mbetur asgjë.
“Këtu nuk kemi asgjë prej se Maqedonia na i ka marrë tokat. Kur i punonim tokat, nuk kishim nevojë të shpërnguleshim, por tash po. Ne nuk kemi çka të bëjmë këtu”, u shpreh Beqiri.
Ndryshe, zoti Ilazi theksoi se në vazhdimësi ka diskutuar me burrat e fshatit lidhur me marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Dhe, sipas tij, kjo marrëveshje nuk do të jetë e pranueshme për banorët.
“Ata ende nuk pajtohen dhe edhe unë nuk pajtohem, por duke marrë parasysh situatën në Kosovë, banorët e fshatit janë të detyruar që të
pajtohen, në mënyrë që të mos marrin ndonjë veprim që do të shkonte në dëm të fshatit”, theksoi Ilazi.
Sidoqoftë, zoti Ilazi tha se nga Qeveria do të kërkojë që t’i shqyrtojë kërkesat e banorëve të Debëlldeut për kompensimin e pronave që ata nuk i kanë shfrytëzuar për nëntë vjet me radhë.
Në të kundërtën, siç u shpreh ai, fshatarët nuk do të lejojnë hapjen e pikës kufitare mes fshatrave Tanushë dhe Debëllde, pikë kjo e paralajmëruar të hapet brenda këtij viti nga Prishtina dhe Shkupi zyrtar.