Bartjen e përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës, autoritet kosovare e konsiderojnë një hap shtesë që dëshmon gatishmërinë e autoriteteve të rendit për marrjen e përgjegjësive dhe garantimin e sigurisë për të gjithë banorët që jetojnë në Kosovë.
Vendimi i komandantit të KFOR-it, Markus Bentler, për kalimin e kompetencave te Policia e Kosovës për mbikëqyrjen e monumentit në Gazimestan, është vlerësuar si një hap mjaft pozitiv për Kosovën.
Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Valton Beqiri, shpreh mendimin se zvogëlimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it dhe marrja e përgjegjësive të tjera të kësaj force të sigurisë, lë të kuptosh se kompetencat për mbikëqyrjen e objekteve fetare, gradualisht do të kalojnë në duart e Policisë së Kosovës.
“Duhet theksuar se marrja e këtyre kompetencave, dëshmon që Kosova është e interesuar për mbrojtjen dhe ofrimin e sigurisë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe me këtë dëshmohet se jemi të interesuar t’i ruajmë të gjitha vlerat e përbashkëta të trashëgimisë sonë kulturore”, shprehet ministri Beqiri.
Gjithsesi se vendimin për bartjen e përgjegjësive nga KFOR- i te Policia Kosovës, sipas ministrit Beqiri, varet nga plani i KFOR-it.
Ai thekson se njëra nga objektet, që mund të kalojë se shpejti nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës është Kisha Ortodokse serbe në Graçanicë.
Në anën tjetër, zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se në ekzekutimin e kësaj punë të re, policia do të monitorohet dhe këshillohet nga policia e EULEX-it.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, sqaron:
“Përveç monumentit në Gazimestan, Policia e Kosovës ka edhe 17 objekte të tjera, të cilat i ruan, siç është kisha në pjesën jugore. Me kalimin e kohës ne jemi në diskutime me KFOR-in dhe do të marrim përgjegjësinë edhe për objektet e tjera. Po ashtu, gradualisht do të kalojë edhe përgjegjësia për patrullimin në vijën e gjelbër kufitare”.
Objektet fetare ortodokse, deri më tash janë ruajtur nga trupat e KFOR-it, ndërkohë që Pakoja e Ahtisarit parasheh që të gjitha monumentet kulturore dhe fetare të kalojnë nën mbikëqyrjen dhe nën kompetencën e sigurisë së Policisë së Kosovës.
Lidhur me këtë, zëdhënësi Beka thotë se Policia e Kosovës ka kapacitete për t’i siguruar të gjitha objektet ortodokse në Kosovë.
“Gjithsesi se ky kalim i përgjegjësisë konsiderohet dhe si normalizim i situatës. Dhe, për ne është një shenjë e mirëbesimit dhe njohjes së aftësisë sonë profesionale për ta kryer këtë punë të rëndësishme”, thotë Beka.
Ndërkohë, gjashtë vjet pas trazirave të 17 marsit të vitit 2004 në Kosovë, me ç’rast qenë dëmtuar rreth 35 objekte fetare, shumica prej tyre ortodokse, institucionet e Qeverisë së Kosovës thonë se po bëjnë përpjekje që ta përmbyllin rindërtimin dhe riparimin e tyre.
Sipas tyre, tash është shënuar rënie e numrit të sulmeve ndaj objekteve fetare dhe kulturore në Kosovë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, jep më shumë hollësi:
“Dy viteve të fundit kemi më shumë dëmtime të objekteve të religjioneve tjera, se sa të objekteve të trashëgimisë ortodokse serbe. Kjo, edhe një herë dëshmon që jo vetëm me sigurimin apo mbrojtjen fizike nga Policia e Kosovës, ne kemi në rritje edhe vetëdijesimin e qytetarëve për nevojën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore në përgjithësi”.