Dokumenti kryesor për zhvillimin e energjetikës në Kosovë, siç thonë disa nga ekspertët e energjetikës, lë të patrajtuara shumë çështje, siç është krijimi i rezervave të gazit dhe naftës, vendosja e kapaciteteve të reja për prodhimin e rrymës nga linjiti, si dhe përzgjedhja e teknologjive për termocentralin e ri.
Eksperti për çështje energjetike, Naim Hoxha, vlerëson se një strategji e tillë i është dashur Kosovës kohë më parë. Sipas tij, problemi i zhvillimit të strategjisë së energjisë është problem që ka filluar qysh pas luftës.
“Dhjetë vjet i kemi kaluar në një 'luftë' për të gjetur se çfarë kërkojmë. Ka qenë një kohë shumë e gjatë për një shoqëri që është në tranzicion dhe ka nevojë edhe për energji, për zhvillim dhe për të gjitha elementet”, shprehet Hoxha.
Mosmiratimin e strategjisë për energjetikë nga ana e Kuvendit të Kosovës, Hoxha e quan një veprim që lë të kuptohet se autoritetet kosovare ende nuk e dinë qartë se çfarë dëshirojnë në fushën e energjetikës.
Hoxha, po ashtu, akuzon Ministrinë e Energjetikës dhe Minierave për vonesën e këtij projekti.
“Ministria nuk ka bërë përgatitje të duhura të strategjisë. E vonuan këtë projekt. U futën në disa projekte të reja. Kanë krijuar një konfuzion të panevojshëm”, thotë Hoxha.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës deklarojnë se strategjitë për zhvillimin e energjetikës kanë mbështetjen e Bankës Botërore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Komisionit Evropian dhe se kjo strategji është e hartuar në bazë të nevojave afatgjate për sektorin e energjisë në Kosovë.
Kjo strategji, sipas tyre, synon që Kosova të ketë kapacitete të nevojshme të energjisë dhe të mundësojë zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndërkohë, strategjia, që nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ishte quajtur e vjetruar, hidhet poshtë nga eksperti i çështjeve energjetike, Avni Kushumliu, i cili vlerëson se strategjia e re nuk ka të bëjë asgjë me të vjetrën.
“Pretendimet se kjo strategji është e vjetër nuk qëndrojnë, për shkak se e vjetra ka qenë e dëmshme për Kosovën”.
“Strategjia e vjetër, sa i përket ndërtimit të termocentralit, ka qenë me kapacitete më të mëdha, të cilat vetëm sa do ta kishin dëmtuar Kosovën, ndërsa strategjia e re është konform nevojave të Kosovës”, thotë Kushumliu.
Ekspertët po ashtu tërheqin vërejtjen për mangësitë që ka strategjia, e të cilat do të mund të përmirësoheshin me një revidim të saj.
Eksperti i energjetikës, Kushumliu, shprehet:
“Seanca e djeshme ka treguar se, megjithatë ka ardhur deri te vetëdijesimi i deputetëve për dëmet, të cilat mund t’i sjellë kyçja e ‘Kosovës B’ në termocentralin ‘Kosova e re’. Kjo ka bërë që të kontestohet dokumenti kryesor për zhvillimin e energjetikës”.
Ndryshe, në strategjinë për zhvillimin e energjisë, thuhet se, me qëllim të stabilizimit të furnizimit, kontrollit dhe menaxhimit të konsumit, si dhe për një planifikim të mirëfilltë të kërkesës, duhet të merren masa efikase për eliminimin e shpenzimit ilegal dhe për pagesë të energjisë elektrike.
Sipas strategjisë, këto masa janë: eliminimi i lidhjeve ilegale të energjisë elektrike; lidhja e kontratave për furnizim me energji elektrike; pagesa e energjisë elektrike në bazë të matjeve, si dhe aplikimi i politikave që tarifat t’i mbulojnë gradualisht kostot.