Ndërlidhjet

Mundësitë për ekonomi të qëndrueshme


Analistë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se e vetmja alternativë për ringjalljen e ekonomisë se rrënuar kosovare, mbetet zhvillimi i sektorit privat dhe investimet direkte të huaja dhe vendore në ekonominë e Kosovës.

Kjo, sipas tyre, mund të jetë e vetmja terapi që u mundëson qytetarëve të Kosovës të fillojnë të dalin nga varfëria, si shkak i papunësisë së lartë.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë:

“Me vite, ne kemi insistuar që politikat ekonomike të jenë politika që kanë si kriter bazë qëndrueshmërinë, e jo të kemi politika ekonomike ‘ad hok’, që i trajtojnë problemet ‘ad hok’”.

“Javëve të fundit kemi pasur probleme të ngritjes së pagave. Ngritja e pagave është bërë nga presionet e caktuara dhe është një zgjidhje ‘ad hok’ e problemeve”
, thotë Rukiqi.

Ai thekson se mungesa e një strategjie për zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik, ka bërë që zhvillimi ekonomik të ndodhë në formën ‘ad hok’, pa pasur një synim të caktuar afatgjatë.

“I vetmi zhvillim i qëndrueshëm mund të jetë ai zhvillim që gjenerohet nga aktiviteti i sektorit privat. Në momentin kur kemi punësim të qëndrueshëm, investime afatgjate, garantohet zhvillim i qëndrueshëm”.

“Këto që ndodhin - projektet e caktuara, punësimi i përkohshëm, punësimi sezonal - nuk garantojnë zhvillim të qëndrueshëm”
, vlerëson Rukiqi.

Në anën tjetër, disa nga ekspertët e çështjeve ekonomike mendojnë se kthimi dhe investimi i Trustit të Kursimeve Pensionale dhe i Fondit të Privatizimit në Kosovë do të ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Eksperti i ekonomisë, Xhelil Bekteshi, thotë se pa krijimin e një klime të mirë politike dhe të sigurisë, Kosova nuk do të mund ta ketë zhvillimin e dëshirueshëm ekonomik.

“Është një zinxhir i masave që duhet të merren, duke u nisur nga çështja e infrastrukturës ligjore deri te komuniteti i biznesit, në mënyrë që të krijohen kushte për të zvogëluar papunësinë”.

“Ne duhet të krijojmë lehtësira për investitorët, pasi që te ne në Kosovë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë vetëm një fuqi absorbuese, për atë numër të fuqisë punëtore që e kanë”
, thotë Bekteshi.

Sipas tij, Kosovës i mungon një imazh, një strategji dhe një vizion afatgjatë për zhvillimin ekonomik.

“Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa mbrojtëse që ta stimulojë komunitetin e biznesit, sepse, nëse i shikojmë statistikat, shihet se ka shumë biznese që mbyllen. Duhet të hulumtojmë se pse po mbyllen këto biznese. Duhet të krijojmë një strategji dhe vizion, për të pasur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”,
deklaron Bekteshi.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG