Zbatimi i ligjeve për ekonomi, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, sipas ekspertëve të ekonomisë edhe më tej mbetet sfidë për institucionet kosovare.
Eksperti për çështje ekonomike, Bedri Selmanaj, thotë se Kuvendi i Kosovës ka miratuar një mori ligjesh që hyjnë në shërbim të sistemit ekonomik, por që si të tilla, thekson Selmanaj, kanë të meta jashtëzakonisht të mëdha.
“Të metat janë se, atëherë kur janë aprovuar këto ligje, nuk iu është dhënë dora profesionale, që do t’i bënte të jenë të zbatueshme në kushtet dhe rrethanat, në të cilën gjendet ekonomia e Kosovës”.
“Kjo e metë e bën jofunksional sistemin ekonomik, që drejtpërdrejt ndikon në dinamikën e rritjes dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik”, shprehet Selmanaj.
Ndërkaq, ligjvënësit e Kosovës potencojnë se janë më shumë se 60 ligje në lëmin e ekonomisë që janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, një pjesë e të cilave që nga koha kur janë miratuar, kanë mbetur vetëm në sirtarët e kabineteve të ministrive.
Kryetarja e Komisionit Parlamentare për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion në Kuvendin e Kosovës, Myzejene Selmanaj, thekson se moszbatimi i ligjeve në ekonomi është një sindromë negative.
“Është e vërtetë se është një numër i madh i ligjeve ekonomike që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës, të cilat nuk janë zbatuar. Problemi më i madh është te ekzekutivi, i cili nuk merret me zbatimin e ligjeve. Mungon një kulturë politike”, thotë Selmanaj.
Sipas zonjës Selmanaj, e cila merr pjesë në hartimin e ligjeve, e më pas edhe në monitorimin e ligjeve që harton Komisioni për Ekonomi, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik të dëshirueshëm nëse këto ligje nuk gjejnë zbatim.
“Qeveria duhet të vetëdijesohet se në një Qeveri që nuk ka zbatueshmëri të ligjeve dhe sundim të ligjit, atëherë nuk ka rezultate. Sundimi i ligjit është numër një”.
“Është vërejtje edhe e ambasadave të huaja. Nëse ligjet nuk zbatohen, atëherë kemi një anarki, e kjo nuk do të thotë që kemi një qeveri demokratike”, shprehet kryetarja Selmanaj.
Pothuajse në të gjitha raportet që hartojnë organizatat ndërkombëtare për Kosovën, vonesën apo moszbatimin fare të ligjeve, edhe më tej e konsiderojnë si problem tejet të madh.
Eksperti për çështje ekonomike, Bedri Selmanaj, ndërkaq, vlerëson se moszbatimi i ligjeve vonon edhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Në këtë drejtim, ne kemi Ligjin për investime të huaja, që si i tillë është i quajtur gabimisht, se në të nuk bëhet ajo çka duhet të bëhet, që të jetë ligj i nxitjes së investime, por tentohet të mbrohen investimet”.
"Pra, janë një mori zbrazëtirash juridike, të cilat nuk krijojnë rrethana dhe klimë të përshtatshme për investime. Dhe, për këtë, Kuvendi i Kosovës do të duhej t’i korrigjonte”, thotë eksperti Selmanaj.