Puna pa kontratë pune, pa të drejtë për pushim, pa mbrojtje në vend të punës dhe shumë padrejtësi të tjera, vazhdojnë t’i rëndojnë punëtorët kosovarë, kanë vlerësuar përfaqësues të Odës Ekonomike e Kosovës dhe përfaqësues të punëtorëve.
Ata kanë kërkuar që të zbatohet legjislacioni në fuqi, i cili mbron të drejtat e punëtorëve.
Kryetari i OEK-ut, Besim Beqaj, ka potencuar se ekonomia e Kosovës është duke hyrë në një fazë kritike dhe zhvillimore dhe i duhet ta ketë të rregulluar sistemin legjislativ.
“Kemi shumë mangësi legjislative, që do të na mundësonte një qasje të mirëfilltë në këtë temë në suaza afatgjate, pasi që Ligjin e punës nuk e kemi të miratuar nga Parlamenti dhe kjo na krijon një deficencë, të cilën do ta shohim gjatë dhe jemi duke e parë në përditshmëri”, është shprehur Beqaj.
Ndërkaq, në bazë të një hulumtimi të bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës, thuhet se në organizatat e ndryshme vendore janë vërejtur parregullsi dhe padrejtësi të mëdha në raportet punëdhënës - punëmarrës.
Sipas këtij hulumtimi, përveç që nuk respektohen kontratat e punës, punëtorët kosovarë gjithashtu nuk janë të mbrojtur në rast të ndonjë lëndimi në punë.
Në hulumtim, po ashtu thuhet se edhe punëtorët janë ata, të cilët në disa raste nuk i respektojnë kontratat e punës. Kryetari i OEK-ut, Besim Beqaj, ka theksuar se në Kosovë duhet një vetëdijesim i punëdhënësve dhe punëmarrësve për detyrat dhe obligimet e tyre.
“Pa respektimin e marrëveshjeve, pa respektimin e kontratave, pa respektimin e të drejtave dhe obligimeve që janë rezultat i kontratave, serioziteti ynë për të qenë partnerë në nivele të ndërmarrjeve ndërkombëtare, është gati i pamundshëm”, ka theksuar Beqaj.
Në Kosovë nuk është miratuar ende as Ligji i punës, i cili do të siguronte të drejta më të gjera për punëtorët në Kosovë, përfshirë këtu kontratat e punës, të drejtat për pushim dhe mbrojtjen në vendin e punës.
Ligji deri më tani nuk është aprovuar për shkak të mungesës së mjeteve financiare për të mbuluar koston e tij.
Xhylnaze Novobërdaliu, udhëheqëse për hartim të legjislacionit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka konfirmuar se Ligji i punës është plotësuar dhe është dërguar në Qeverinë e Kosovës.
“Ligji i punës ka mbaruar dhe është plotësuar me 97 nene dhe është prej 13 kapitujsh. Ligji i punës, tash draft-ligji, është në nivel të duhur, mirëpo praktika do të dëshmojë sa është i zbatueshëm, sa do të bëhet mbikëqyrja mbi të, etj”, ka thënë Novobërdaliu.
Ndërsa, përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve kanë kërkuar urgjentisht nga Parlamenti që të miratojë Ligjin e punës.
Ndërkaq, sa i përket zbatimit të kontratës kolektive, Xhafer Xhaferi, nga BSPK-ja, ka dhënë më shumë hollësi.
“Cila është dalja nga kjo situatë? Daljen e shohim në nxjerrjen e ligjeve bazike që e rregullojnë këtë marrëdhënie. Insistojmë në funksionalizmin e këshillit ekonomiko-social, implementimin e kontratës kolektive ekzistuese dhe përgatitjen e një kontrate të re kolektive, përmes së cilës do të definohej dhe do të kërkohej zgjidhja e këtyre problemeve, me të cilat ballafaqohemi”, ka thënë Xhaferi.
Nënshkrimi i kontratës kolektive, si një akt juridik, i cili rregullon raportet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit ishte arritur para tri vjetësh, pas një paralajmërimi të Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve për organizimin e një greve të përgjithshme në rast të mosfuqizimit të kontratës kolektive.
Por, një kontratë e tillë nuk kishte gjetur zbatim në Kosovë asnjëherë.