Ndërlidhjet

Paralajmërohet formimi i bllokut opozitar shqiptar


Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë

Partia Demokratike Shqiptare paralajmëroi formimin e bllokut opozitar të partive shqiptare, i cili do të ketë synim kryesor rrëzimin e Qeverisë aktuale të VMRO-DPMNE-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim. Para disa ditëve disa parti politike maqedonase formuan një bllok opozitar dhe kanë për qëllim mposhtjen e politikës qeveritare.


Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, bëri të ditur se partia e tij angazhohet që të formohet blloku opozitar i partive politike shqiptare, i cili do t’i kundërvihet politikës qeveritare.

Thaçi bëri të ditur se po zhvillohen bisedime me disa parti politike, por, sipas tij, në këtë bllok nuk ka vend për Demokracinë e Re, e cila u formua nga ish-anëtarët e kësaj partie.

“Unë jam në kontakte të drejtpërdrejta, sidomos edhe publiku e ka kuptuar mbështetjen që i ka dhënë Partia për Prosperitet Demokratik platformës sonë, po ashtu edhe me partinë e Hysni Shaqirit kemi pasur disa kontakte”.

“E mira e kësaj pune është që kemi gatishmëri të bisedojmë. Ne, si PDSH, kërkojmë që njëherë të unifikohemi rreth një përcaktimi, pastaj nëse dalin në pah interesat, ato është lehtë të ndahen, i rëndësishëm është përcaktimi”
, tha Menduh Thaçi.

Sipas numrit një të PDSH-së, zgjidhja më e mirë për të dalë nga kjo situatë, janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Idenë për krijimin e bllokut opozitar shqiptar e mbështeti kryetari i Partisë së Prosperitetit Demokratik, Sefedin Haruni, i cili tha se ideja është e partisë së tij.

“Partia për Prosperitet Demokratik e mbështet formimin e bllokut opozitar shqiptar, por, ne, këtë bashkëpunim do të mundohemi që ta bëjmë një unitet gjithë-politik të shqiptarëve. Vetë fakti që opozita para disa ditëve imponoi një union të opozitës maqedonase, imponon që edhe te shqiptarët, në njëfarë mënyre, ose një tjetër, të formohet një union
”, theksoi Haruni.

Ndërkaq, kryetari i Bashkimit Demokratik Kombëtar, Hysni Shaqiri, tha se janë zhvilluar bisedime me kryetarin e PDSH-së, por nuk janë detajuar planet për formimin e frontit të opozitës shqiptare.

“Është koha dhe momenti që t’i kthehemi vetvetes. Jemi të interesuar, sepse, si BDK, kemi pasur disa apele dhe kërkesa për bashkëpunim. Tash, kjo iniciativë e ka gjetur momentin e duhur dhe shpresoj se do të ketë sukses”,
u shpreh Shaqiri.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk e komentuan idenë e PDSH-së, ndërsa ditë më parë 12 partitë maqedonase të opozitës, të udhëhequra nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, formuan një bllok të gjerë opozitar.

Platforma e opozitës maqedonase synon të sigurojë një mënyrë për të dalë nga kaosi ekonomik, për të mposhtur sundimin e krimit, korrupsionit dhe demokracinë e dobësuar nga ana e qeverisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG