Ndërlidhjet

Të drejtat e njeriut në paraburgim


Qendra korrektuese në Lipjan
Qendra korrektuese në Lipjan

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, në një konferencë për media, ka publikuar raportin vjetor për vitin 2009, të titulluar “Standardet e të drejtave të njeriut në qendrat korrektuese, qendrat e paraburgimit dhe dhomat e policisë për ndalime në Kosovë”. Ky raport është mbështetur edhe nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë.


Raporti vjetor janar-dhjetor 2009, i publikuar të martën nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, vlerëson përmirësim të situatës së përgjithshme, parregullsi ekzistuese, shkelje, por edhe respektim të të drejtave të njeriut në qendrat korrektuese, qendrat e paraburgimit dhe dhomat e policisë për ndalime në Kosovë.

Feride Rushite, udhëheqëse e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, QKRMT, thotë se gjatë monitorimit të këtyre qendrave, janë vërejtur disa përmirësime të të drejtave të personave të privuar nga liria.

“Do të fokusohem në rastet e keqtrajtimit, apo forcës së tepruar, siç quhet nga autoritetet. Na gëzon fakti se kjo dukuri, ky fenomen është në rënie e sipër në Qendrën Korrektuese në Lipjan, në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe në Qendrën korrektuese në Dubravë. QKRMT-ja, gjithashtu ka vërejtur përmirësim të përgjithshëm të kujdesit shëndetësor”
, thotë Rushiti.

Përveç përmirësimeve në disa aspekte, megjithatë gjatë monitorimit, qendra ka hasur edhe situata joadekuate në plotësimin e kushteve të përgjithshme nga institucionet korrektuese, veçon zonja Rushiti, duke shtuar se ekipi monitorues ka identifikuar disa zbrazëti dhe mospërmbushje të standardeve ndërkombëtare.

“Edhe më tej ka mungesë të kategorizimit dhe planifikimit të të burgosurve bazuar në moshë, vepër të kryer, rrezikshmëri dhe status shëndetësor. Akomodimi jo i kategorizuara sipas veprës, paraqet rrezik potencial për diskriminim dhe keqtrajtim të të burgosurve të tjerë”.

“Ekziston një numër i caktuar i të burgosurve, që mbahen në qendrat e paraburgimit, të cilët presin vendimin e plotfuqishëm me afat mbi një vit”
, shpjegon zonja Rushiti.

Shqetësim tjetër nga të burgosurit gjatë monitorimit është paraqitur vendosja e masës disiplinore me rastin e përfitimit të privilegjeve në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Privilegjet dhe masat disiplinore, sipas pohimeve të të burgosurve, thotë zonja Rushiti, vendosen në bazë të korrupsionit dhe lidhjeve familjare.

“Në qendrat korrektuese ekzistojnë tri standarde: standardi hyrës, standardi bazë dhe ai i avancimit. Të burgosurit, që qëndrojnë një kohë më të gjatë dhe kanë sjellje të mira, kanë mundësi të kalojnë në standardet e avancuara, ku edhe kanë beneficione të veçanta”.

“Gjatë intervistave, shumica e të burgosurve janë ankuar që këto ndarje të privilegjeve, apo avancimi prej një regjimi në regjimin tjetër, bëhen në bazë të nepotizmit dhe në bazë korrupsionit”
, thekson zonja Rushiti.

Në anën tjetër, Resmi Hoxha, Komisionar i Shërbimit Korrektues të Kosovës, pohon se edhe në këto institucione mund të ketë parregullsi.

Ai thotë se në Qendrën Korrektuese të Dubravës, ekziston një panel profesional, i cili vendos për masat disiplinore të të burgosurve.

“Jam i bindur që paneli 90 për qind e ka kryer punën e vet. Ekziston mundësia të ketë ndonjë rast individual, apo të veçuar. Mirëpo, sikur unë, si komisar, të jem në dijeni , ai që është marrë me këtë çështje, do të ishte suspenduar dhe nuk do të kishte vend në Shërbimin Korrektues të Kosovës”,
shprehet Hoxha.

Ndryshe, raportin e publikuar të martën, e mbështet edhe Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë.

Khaldun Sino thotë se Komisioni Evropian e mirëpret një shoqëri civile të fuqishme në Kosovë që vepron si ndërmjetësues mes qytetarëve dhe autoriteteve, e cila avokon për pjesët më të ndjeshme dhe më të neglizhuara të shoqërisë.

“Aspekti i monitorimit të pavarur është shumë i rëndësishëm për ne, sepse me këtë mundësohet vlerësimi cilësor që vjen nga një organ jashtë administratës. Ai mund të shohë përparimin, por edhe të shohë fushat ku nevojitet përparim i mëtejmë
”, thekson Sino nga Komisioni Evropian.

Ndryshe, në këtë raport, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, u ka rekomanduar autoriteteve kompetente që të marrin masa konkrete, për të dëshmuar dhe shtuar përkushtimin e tyre në zbatimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në të gjitha pikat e paraburgimit, në përputhje me legjislacion përkatës në Kosovë.
XS
SM
MD
LG