Ndërlidhjet

Prishtina ngrin nga të ftohtit


Prishtinë (foto arkiv)
Prishtinë (foto arkiv)

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” në Prishtinë ka një javë që ka reduktuar furnizimin me ngrohje, gjë që ka vështirësuar jetën e qytetarëve. Sipas zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje, nga nesër pritet edhe shkyçja kolektive e ngrohjes. Në anën tjetër, mungesa e ngrohjes rrit kërkesën për energji, kërkesë kjo që nuk mund të mbulohet nga Korporata Energjetike e Kosovës.



Me uljen e temperaturave në Kosovë, qytetarët po përballen me reduktime të energjisë elektrike dhe të ngrohjes.

Javën e kaluar, ngrohtorja e qytetit “Termokos” ka zvogëluar prodhimin, për shkak të mungesës së lëndës djegëse, mazutit, si dhe për shkak të borxheve të konsumatorëve, deklarojnë zyrtarë në këtë kompani.

Zana Efendia, zëdhënëse, thotë se që nga nesër, ka mundësi të ketë ndërprerje kolektive të ngrohjes. Ky vendim, sipas saj, do të zbatohet për arsye të borxheve të konsumatorëve, të cilat arrijnë në mbi 15 milionë euro. Ndërkaq, borxhet e “Termokos”-it ndaj kompanisë furnizuese me mazut, kalojnë shumën mbi 2 milionë euro, thotë Efendia.

“Bordi i drejtorëve të ngrohtores së qytetit dhe komisioni i aksionarëve të ngrohtores kanë marrë vendim që nga dita e nesërme, me siguri, të fillohet me shkyçje kolektive të atyre lagjeve ose të atyre rajoneve, të cilat kanë borxhe tejet të mëdha ndaj ‘Termokos-it’”, bën të ditur Efendia.

Mungesa e furnizimit cilësor me ngrohje ka vështirësuar jetën e qytetarëve.

Imer Krasniqi, i cili jeton në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, thotë se gjatë këtij sezoni furnizimi me ngrohje nuk ka qenë cilësor. Ai nuk pajtohet me arsyetimet e zyrtarëve të “Termokos”-it se kjo po ndodh për shkak të borxhit dhe mungesës së mazutit.

“Rruga ‘Agim Ramadani’, prej Fakultetit Ekonomik deri te qendra e studentëve, i ka tre soliterë, afër 400 familje. Këto tri ndërtesa, 80 për qind në ndërtesën tonë, paguajnë. Katet e larta, prej të pestit deri në të njëmbëdhjetin, nuk kanë kurrë ngrohje... Nuk e kanë menaxhuar si duhet situatën për çështjen e mazutit”, shprehet ky qytetar.

Ndërkaq, Demë Demaj, që jeton në ndërtesat te Pallati i Rinisë, thotë:

“Është katastrofë kur qytetarët nuk kanë rrymë, nuk i kanë gjërat më elementare për jetë. Kurse, puna e ngrohjes, ajo kuptohet, varet prej tjetërkujt. Është e vërtetë se as vetë nuk e paguaj ngrohjen, sepse nuk ka ngrohje”.

Një qytetar tjetër, Salih Salihu, jeton në qendër të kryeqytetit. Ai thotë se është e çuditshme që ngrohje ka pasur në kohën kur temperaturat kanë qenë të larta, ndërsa furnizimi është zvogëluar kur temperaturat janë nën zero gradë celsius.

Gjithmonë po na kanoset ngrohja kur është minus”, thotë ai.

Lidhur me këtë, zëdhënësja e “Termokos”-it, Zana Efendia, shprehet:

“Për shkak të temperaturave, rëndom konsumatorëve u është reduktuar pak ngrohja, por ndërprerje totale të ngrohjes nuk ka pasur”.

Ndryshe, mungesa e ngrohjes së qytetit ka rritur kërkesën e konsumatorëve për rrymë, gjë që i ka shkaktuar probleme edhe Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë Viktor Buzhala, zëdhënës në këtë korporatë.

Për këtë arsye, në orët e paradites së sotme ka pasur reduktime të energjisë, të cilat, sipas Buzhalës, janë evituar.

“Realisht, mbingarkesat po na shkaktojnë telashe në disa zona. Prejse është ndalur ‘Termoks’-i, neve na është rritur kërkesa prej 20%, e cila edhe ashtu ka qenë e lartë edhe më herët”
, pohon Buzhala.

Problemeve me ngrohje nga “Termokos”-i nuk po u shpëton as Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
XS
SM
MD
LG