Mungesa e investimeve të huaja në Kosovë është e lidhur ngushtë edhe me mbrojtjen e investitorëve. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, Kosova konsiderohet ende si një vend i pasigurt për investitorët.
Vetëm 11 shtete të tjera janë më të pasigurta sesa Kosova, cilëson Banka Botërore.
Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se vetë nivelet e ulëta të investimeve të huaja në Kosovë, gjatë viteve të fundit, tregojnë klimën e vështirë të biznesit që është në vend.
Nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se në Kosovë është përkeqësuar ndjeshëm klima për investime, ndërkaq në rënien e nivelit të investimeve të huaja, ka ndikuar edhe moszbatimi i ligjit, niveli i lartë i korrupsionit, niveli i lartë i ekonomisë joformale.
“Është më se e vërtetë që investimet, qoftë atë direkte, qoftë indirekte, në Kosovë kanë pësuar një rënie në vitin 2009. Argumentimet më të shpeshta institucionale janë si pasojë e krizës ekonomike”.
“Mirëpo, duhet të kuptohet edhe realiteti se në Kosovë më shumë humbet kohë në kërkim të arsyes për dështim, sesa të krijohet një ambient që ky dështim mos të ndodhë dhe situata të përmirësohet”, thotë Gërxhaliu.
Ndryshe, në tri vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme. Në vitin 2007, kur është futur operatori i dytë i telefonisë mobile në Kosovë, investimet e huaja direkte në vend kanë qenë 421 milionë euro.
Në vitin 2008, këto investime kanë qenë 355 milionë, ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro.
Kryeshefi për promovimin e investimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Mustafë Hasani, thekson se rënia e investimeve është pasojë e krizës ekonomike globale.
Megjithatë, ai shprehet optimist se investimet do të shënojnë ngritje gjatë vitit 2010.
“Viti 2010, pas shenjave të para të kalimit të recesionit, do të ketë efektin në ardhjen e investimeve të huaja në Kosovë”.
“Patjetër, që vendimi i Qeverisë për privatizimet e mëdha, që do të ndodhin në vitin 2010, siç është privatizimi i Aeroportit, KEK-ut, PTK-së dhënia me koncesion e 18 mini-hidrocentraleve të vogla, pastaj ai i Zhurit dhe programet me partnerin publiko-privat, do të ketë efektin e vet në ngritjen e investimeve në vitin 2010”, shpjegon Hasani.
Për krijimin e një klime të favorshme për investitorët, Hasani thekson se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka përgatitur edhe strategjinë për investime 2010-2012, që pritet të finalizohet gjatë këtij viti.
Po ashtu, zyrtarë të kësaj ministrie janë duke shqyrtuar të gjitha rekomandimet e Bankës Botërore dhe gjatë këtij viti, do të fokusohen në promovimin e investimeve në vende konkrete, në sektorë potencialë dhe në kompani që vlerësohet se mund të investojnë në Kosovë.
“Fillimisht, ne do t’i identifikojmë sektorët dhe ato kompani, të cilat kanë treguar interesim për zgjerimin e tyre në Evropën juglindore, në veçanti në Ballkan dhe të shikojmë cilat janë format që t’i joshim ata që të vijnë në Kosovë dhe të investojnë”, thotë Hasani.
Udhëheqësi i Agjencisë për promovimin e investimeve, Mustafë Hasani, shton se shumë investitorë kanë treguar interesim për të investuar në Kosovë dhe kjo pritet të materializohet gjatë këtij viti.
Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Gërxhaliu, thekson se zyrtarët e Kosovës duhet t’i promovojnë vlerat dhe të fokusohen te diaspora kosovare, e cila ka potencial që mund ta investojë në vendin e vet.
“Prandaj, është koha kur duhet të jemi ata që e promovojnë Kosovën, dhe jo t’i promovojmë investimet. Në rend të parë, duhet t’i promovojmë vlerat. Nëse arrijmë t’i promovojmë vlerat, atëherë investimet vetvetiu do të vijnë”, shprehet Gërxhaliu.
Sidoqoftë, zyrtarë të institucioneve thonë se investitorët e huaj në Kosovë mbrohen me ligj dhe për çdo dëm që i shkaktohet, kompensohet në përputhje me konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e investitorëve.
Deri më tash, sipas zyrtarëve kosovarë, nuk kanë pasur ndonjë vërejtje nga investitorët e huaj, sa i përket pasigurisë së investimeve të tyre.