Ndërlidhjet

Shkodër: Situata vazhdon të jetë e vështirë


Fshati Dajç në rrethinën e Shkodrës, 12 janar 2010.
Fshati Dajç në rrethinën e Shkodrës, 12 janar 2010.

Rritja e nivelit të lumit Buna ka shkaktuar vërshim në rrugët në periferi të qytetit të Shkodrës. Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, tha se situata në Shkodër vazhdon të jetë problematike, përkundër masave të ndërmarra. Nga ana tjetër, niveli i liqenit të Fierzës po vazhdon t'i largohet nivelit kritik.


Rritja e nivelit të liqenit të Shkodrës, nga ku buron dhe lumi Buna, ka përmbytur me disa centimetra rrugët e qytetit, kryesisht periferinë e tij. Niveli i ujit llogaritet nga 20-25 centimetra në lagjen Xhabije dhe në zonën e quajtur Livadhet.

Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, tha nga Shkodra se situata vazhdon të mbetet problematike, pavarësisht masave të marra. Situata në qytet do të varet nga dinamika e rritjes së nivelit të liqenit, tha Basha.

“Prioriteti ynë madhor vazhdon të mbetet evakuimi. Situata vazhdon të mbetet problematike. Njolla e përmbytjes nuk është zvogëluar. Niveli i ujit vazhdon të mbetet i lartë, pavarësisht se KESH-i (Korporata Elektro-energjetike e Shqipërisë) ka ulur në minimumin më të madh, që prej fillimit të përmbytjes, sasitë e ujit”.

“Dinamika në qytetin e Shkodrës përcaktohet nga rritja e nivelit në liqenin e Shkodrës. Për këtë arsye, nuk mund t’ju them nëse do të kemi ulje apo ngritje të vazhdueshme të nivelit të liqenit. Ne jemi të përgatitur për çdo rast që t’i marrim të gjitha masat”,
theksoi ministri Basha.

Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile ka vënë në dispozicion, në zonën e përmbytur nga liqeni, tri pompa për të thithur ujin, në Xhabije si dhe në Dobrac, ku ndodhen depozitat e ujësjellësit.

Ndryshe paraqitet situata në liqenin e Fierzës, që vazhdon t’i largohet nivelit kritik. Sipas të dhënave më të fundit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, niveli i Fierzës është 290.58 m.

Kjo ka garantuar dhe ulje të nivelit të derdhjeve nga ky liqen sot, 880 metra kub në sekondë. Për sa i takon sipërfaqes së tokës së përmbytur, ajo vijon të jetë e njëjtë, 10400 hektarë; numri i shtëpive të përmbytura 2499 dhe i banorëve të evakuuar 4780.
XS
SM
MD
LG