Ndërlidhjet

Bie niveli i Fierzës


Rrethina e Shkodrës
Rrethina e Shkodrës
Niveli i Fierzës vazhdon të shënojë ulje me pak centimetra nga dita në ditë, por gjithsesi po i largohet nivelit maksimal të lejuar prej 296 metrash. Të dhënat e fundit tregojnë për një nivel prej 290.94metrash.

Megjithatë hapësira e tokës së përmbytur është po ajo, prej më shumë se 10 mijë hektarë në të gjithë zonën veri-perëndimore të Shkodrës.

Operacionet e shpëtimit dhe të furnizimit me ushqime e ujë për njerëzit dhe gjënë e gjallë kanë angazhuar 830 forca, jo vetëm ushtarake. Operacionet janë shtrirë në komunat e njohura për nga shkalla e lartë e mbulimit të sipërfaqjeve me ujë si Obot, Dajç, Guri i Zi, Velipojë etj.

Komiteti ndërministror i Emergjencave Civile thotë se në komunën Pentar u shpërndanë 10 tonë miell për popullatën. Në komunën e Bushattit u shpërndanë ushqime dhe u evakuan së fundmi nëntë banorë.

Krahas forcave shqiptare të ushtrisë, forca maqedonase dhe greke u angazhuan në operacionet e shpëtimit të banorëve nga Mali i Jushit për në Bushat.
E gjithë nën Shkodra vazhdon të mbetet nën pushtetin e ujit. Në pritje të përmirësimit të situatës, gjë që autoritetet thonë se do të ndodh shpejt, vjen një tjetër sfidë e rëndësishme. Ajo ka të bëjë me rimëkëmbjen e zonës.


* * * * * * * * * *

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi nga Shkodra se menaxhimi i mirë i situatës së krijuar nga përmbytjet, arriti të shmangë një katastrofë njerëzore.

Berisha garantoi për angazhimin e Qeverisë që drejton në rimëkëmbjen e zonave të përmbytura, situata në të cilat sot rezulton të jetë më e përmirësuar.

Kryeministri vizitoi një nga zonat më problematike – fshatin Kuç në komunën Guri i Zi.

Qeveria, ministritë reaguan me një shpejtësi të madhe. Deri më sot, ne ia dolëm të shmangim një katastrofë njerëzore. Ne ishim në prag të saj. Sot, po të hedhim sy, vërtet kemi dhjetë mijë hektarë të përmbytur, por nuk kemi asnjë jetë të humbur”, deklaroi Berisha.

Edhe një herë nga Shkodra, kryeministri garantoi se digat në kaskadën e Drinit janë të sigurta dhe nuk përbëjnë rrezik.

Këtij qëndrimi, Berisha i shtoi edhe faktin se derdhjet e ujit nga kaskada prej Korporatës Elektro-energjetike Shqiptare janë kryer në zbatim të plotë të rregullores.

Të dhënat më të fundit të Korporatës Elektro-energjetike tregojnë se liqeni i Fierzës vijon t’i largohet nivelit kritik të tij.

Situata e krijuar në Shqipëri, si pasojë e përmbytjeve, është mbështetur edhe nga vende partnere evropiane me ekspertë, ndihmë logjistike dhe ushqimore.

Sot, Zyra e Kombeve të Bashkuara në Tiranë ofroi 270 mijë dollarë si ndihmë për përpjekjet e qeverisë për t’iu përgjigjur emergjencës.

* * * * * * * * * *

Komiteti i emergjencave civile njofton se vazhdojnë operacionet e evakuimit, shpërndarjes së bazës ushqimore për popullsinë dhe gjënë e gjallë në zonat e përmbytura, në veriperëndim të vendit.

Strukturat e ushtrisë po kryejnë operacione të dërgimit të ndihmave ushqimore të Rezervave të Shtetit në komunën Dajç, Velipojë, Guri i Zi, Berdicë, Ana e Malit, Bushat dhe në bashkinë Shkodër.

Po kështu, në bashkëpunim me strukturat e ushtrisë, janë kryer operacione për furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë, gjithsejtë 3.2 tonë vetëm në komunat Guri Zi dhe Berdicë.

Sipas një urdhri të Komitetit të Emergjencës, po merren masa urgjente për kontrollin, monitorimin dhe dezinfektimin e ujit të pijshëm, për të ruajtur parametrat e normave të lejueshme të përdorimit nga konsumatorët

Strukturat e ardhura nga Kosova, Maqedonia, Sllovenia, Greqia, Italia, të akomoduara pranë repartit Vau i Dejës, kanë marrë detyrat konkrete për të ndërhyrë në zonat e përmbytura.

594 llogaritet shifra e personave të akomoduar pranë qendrave të pritjes. Shifrat më të fundit flasin për 10.400 ha tokë të përmbytur, 4780 persona të evakuuar dhe 2499 shtëpi të përmbytura.

Sot, në mbrëmje, pritet të mbërrijnë ndihma për zonat e përmbytura nga Austria dhe Franca.

Austria do të dhurojë 8 gjeneratorë, 5 pompa të kapacitetit të lartë dhe Franca do të dhurojë 11 pompa të kapacitetit të lartë.
XS
SM
MD
LG