Ndërlidhjet

Rama: Hap kutitë ose largohu!


Sali Berisha dhe Edi Rama
Sali Berisha dhe Edi Rama
Vendimi i parë që mori Partia Socialiste pas skadimit të ultimatumit 10-ditor si afat për maxhorancën që t’i hapë kutitë e votimit, ishte ndryshimi i sloganit që udhëheq aksionin politik opozitar. Nga vetëm kërkesë për hapjen e kutive, tashmë edhe në largimin e qeverisë.

Në një mbledhje të posaçme me deputetë socialistë, kryetarë të Partisë Socialiste në rrethe, kryetari i selisë rozë, Edi Rama, paralajmëroi shtrirje të protestave në të gjithë vendin.

Rama tha se beteja opozitare nuk do të ndalë deri në shkatërrimin e asaj që ai e cilësoi “model i dhunimit të votës”.

“Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Parlament pa u çmontuar në sytë e gjithë shqiptarëve 28 qershori si precedent i suksesit shumë të rrezikshëm të korrupsionit elektoral. Tanimë për opozitën kutitë nuk janë i vetmi objektiv. Sot, nuk e dimë vetëm ne, por e di i gjithë populli se kjo qeveri e kapur mat humb me shpejtësi çdo ditë të drejtën të qëndrojë mbi kutitë që mban mbyllur”.

“Ne, sot e tutje, nuk do të kërkojmë më thjesht hapjen e kutive, por largimin e Sali Berishës, përderisa kutitë nuk hapen. Hap kutitë ose largohu – kjo do të jetë kryefjala e protestës sonë. Protesta jonë do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, përmes një opozitarizmi që do të jetë kudo që shqiptarët përballen me pushtetin e së keqes”,
tha Rama.

Mazhoranca e ka përjashtuar në mënyrë përfundimtare opsionin për hapjen e kutive, duke e cilësuar atë si antiligjor dhe dhunim të pavarësisë së gjyqësorit. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se pas vendimit për mosnjohje të zgjedhjeve, qëndrojnë interesa të mafies.

Dje, Berisha publikoi dokumente që, sipas tij, dëshmojnë për përfitime qindra-miliona eurosh në troje e leje ndërtimi në Tiranë – të gjitha me firmën e kryebashkiakut Rama.

Sot, gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha shpalli një iniciativë të re për të luftuar mafien, sikundër deklaroi:

“Ajo që unë deklarova mbrëmë, ju garantoj se është vetëm një pjesë, se tentakulat të tmerrshme shtrihen në mbarë vendin. Departamenti i luftës kundër korrupsionit do të jetë edhe i luftës kundër mafies, sikundër një këshill ligjor, për të ndihmuar kryeministrin dhe ekzekutivin në këtë luftë, me ekspertët më të mirë ligjorë të vendit”.

“Është një situatë që do të marrë përgjigjen më të fuqishme. Qeveria do të përdorë të gjithë forcën e ekzekutivit, nuk do të ngurrojë të përdorë dekretin. Lufta kundër mafies është emergjencë”,
deklaroi Berisha.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG