Ish-pronarët dhe qeveria ndahen fort në qëndrime, kur bëhet fjalë për mënyrën se si është trajtuar procesi i kthimit dhe kompensimit të pronës.
Kryetari i Shoqatës për Pronësi dhe Drejtësi, Reshit Vorbsi, e sheh me skepticizëm strategjinë që do të ndjekë qeveria në këtë mandat të ri, për t’i dhënë një përgjigje përfundimtare kësaj çështjeje.
“Në programin qeverisës nuk ka gjë të qartë se si do të realizohet ai ngërç që është krijuar nga pronat. Ajo që presin pronarët, është kthimi i pronës. Në rastet kur është e pamundur – një kompensim i drejtë, në raport me çmimet e tregut, ashtu siç e përcakton Kushtetuta dhe legjislacioni jonë”, thotë Vorbsi.
Duke theksuar nevojën për një kompensim të drejtë të ish-pronarëve, Vorbsi ngre si problem serioz faktin e mungesës së një fature financiare për këtë proces. Vetë shoqata e ka një shifër që, sipas saj, shkon rreth 25 miliardë euro.
“Janë mbi 80 milionë metra katrorë tokë truall, që në shkallë vendi do t’u kompensohet pronarëve. Ndërkohë që ka një detyrim të pashprehur për mbi 80 mijë hektarë tokë bujqësore. Në qoftë se do të merremi me shumëzime, në shkallë republike, detyrimi që ka shteti shqiptar kundrejt pronarëve shqiptarë përllogaritet mbi 25 miliardë euro”, thekson Vorbsi.
Por, kryetari i Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës, Elvis Çefa, e cilëson të ekzagjeruar këtë shifër. Çefa rendit disa nga arsyet e pamundësisë për të llogaritur faturën e kompensimit të ish-pronarëve, përfshirë këtu dhe faktin e mungesës së një vendimi për të paktën 8 mijë dosje për çështje të pronës.
“Shifra 25 miliardë euro është e ekzagjeruar, për arsye se nuk janë parashikuar shumë faktorë që do të ndikojnë në uljen direkte të kësaj fature. Një përllogaritje finale nuk mund të ketë sot; në momentin kur unë deklaroj se kam edhe 8 mijë kërkesa gjendjeje pa marrë një vendim, atëherë si mund të themi se fatura është kjo apo është ajo tjetra”, thotë Çefa.
Ai thotë se qeveria vetëm për vitin 2009 ka dhënë 1.2 miliard lekë për kompensimin financiar të ish-pronarëve.
“Në vitin 2009, unë kam deklaruar se fondi i kompensimit financiar ishte 600 milionë lekë. Me një shtesë, me Ligjin e rishikimit të buxhetit që iu bë këtij fondi, ky fond tashmë ka arritur në mbi 1.2 miliard vetëm për këtë vit. Pra, duket qartë tendenca në rritje e fondit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, çka do të ulë sigurisht edhe kohën e përfundimit të procesit të kompensimit financiar”, thotë Çefa.
Mirëpo, kryetari i Shoqatës për Pronësi dhe Drejtësi thotë se vlera financiare që u është kompensuar deri tani ish-pronarëve, nuk e justifikon koston e procesit.
“Në qoftë se pranojmë një fakt të thjeshtë që gjatë gjithë kësaj periudhe, sot, si formë kompensimi për pronarët janë ndarë vetëm 21 milionë euro, në raport me një faturë që përllogaritet në rreth 25 miliardë euro, çdo gjë është e tepërt për ta diskutuar. Shifrat flasin”, thekson Vorbsi.
Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronës është një nga çështjet më problematike që mbetet ende pa përgjigje përfundimtare. Shqyrtimi i të gjitha dosjeve në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës nuk pritet gjithsesi t’i thotë ‘stop’ pakënaqësisë së ish-pronarëve me mënyrën se si qeveritë e këtyre 20 vjetëve e kanë trajtuar çështjen e pronës.